Për vetëm 13 ditë të muajit qershor, në Kosovë janë regjistruar më shumë raste pozitive se në 31 ditët e muajit maj. 354 raste pozitive janë regjistruar në 13 ditët e para të qershorit, vetëm dy ditët e fundit rezultuan 111 raste pozitive me COVID-19.
Këto shifra kanë dalë në muajin që ishte planifikuar të ishte muaji i lehtësimit të masave, pas majit që pati 277 raste pozitive. Në muajin maj kishte shumë ditë me raste që nuk kalonin në dyshifrorë, madje me datën 24 të atij muaji që nuk kishte asnjë rast pozitiv.
Nga 1 qershori në vend nisi faza e tretë e lehtësimit të masave. Që nga fillimi i këtij muaji në vend janë shtuar ndjeshëm rastet pozitive, me institucionet që kanë paralajmëruar rikthim të masave të izolimit. Së fundmi, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë rekomandoi edhe mbylljen e të gjitha institucioneve ku ka punonjës të prekur me koronavirus.
Në Kosovë, më 30 maj ishin 199 raste aktive me koronavirus, ndërsa në të dielën e 14 qershorit vendi hyn me 477 raste aktive me këtë virus.
Rastet e para me koronavirus në Kosovë ishin regjistruar më 13 mars. Muaji mars përfundoi me 112 raste pozitive, ndërsa më i rëndi për Kosovën deri tash ishte prilli që pati 694 raste pozitive. Më 12 prill ishte dita me më së shumti raste pozitive në Kosovë, gjithsej 79.
Deri tash në Kosovë, në përgjithësi, janë regjistruar 1437 raste pozitive, 928 janë shëruar e 32 kanë vdekur. Komunat më të prekura janë Vushtrria me 196 raste e pasuar nga Prishtina me 168 e Prizreni me 155.