Arrestohet kryebashkiaku i Stambollit, rivali kryesor i Erdoganit

Autoritetet turke kanë arrestuar të mërkurën kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem Imamoglu, një rival kyç i presidentit Recep Tayyip Erdogan, si pjesë e hetimeve për korrupsion dhe terror, sipas transmetuesit shtetëror TRT, duke cituar Zyrën e Prokurorit të Stambollit.

Urdhrat e paraburgimit janë lëshuar gjithashtu për rreth 100 të tjerë, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu Agency, raporton CNN.

Lëvizja vjen vetëm disa ditë përpara se partia kryesore e opozitës, Partia Popullore Republikane (CHP) të mbante zgjedhjet paraprake, ku Imamoglu pritej të zgjidhej si kandidati i saj presidencial.

Një video e drejtpërdrejtë nga CNN Turk shfaqte policinë të pajisur me veshje kundër trazirave dhe dhjetëra automjete sigurie jashtë shtëpisë së Imamoglu.

“Më vjen keq të them, një grusht njerëzish që po përpiqen të vjedhin vullnetin e popullit, kanë dërguar policinë e dashur, forcat e sigurisë duke i implikuar ata në këtë veprim të padrejtë”, ka thënë Imamoglu në një video të postuar në X të mërkurën.

“Qindra oficerë policie janë dërguar te dera e shtëpisë sime, shtëpisë së 16 milionë njerëzve të Stambollit”, ka shtuar ai.

Kreu i partisë kryesore opozitare, Ozgur Ozel e ka përshkruar veprimin si “një përpjekje për grusht shteti kundër presidentit tonë të ardhshëm”.

“Marrja e vendimeve në emër të popullit, përdorimi i forcës për të zëvendësuar vullnetin e popullit ose për ta penguar atë është një grusht shteti. Aktualisht ekziston një forcë që të pengojë kombin të përcaktojë presidentin e ardhshëm”, ka thënë Ozel në një postim në X.

Pas ndalimit të Imamoglu, guvernatori i Stambollit ka pezulluar të drejtën për të demonstruar në qytet deri më 23 mars “për të ruajtur rendin publik”. 

Sipas vëzhguesit të internetit NetBlocks, qasja në X, YouTube, Instagram dhe TikTok është kufizuar në vend.

Lëvizja për të arrestuar kryebashkiakun e qytetit më të madh të Turqisë, një fushë beteje kryesore politike, vjen pasi Universiteti i Stambollit ka njoftuar të martën se kishte anuluar diplomën e Imamoglut për parregullsi, duke i dhënë një goditje opozitës dhe duke prishur ambiciet presidenciale të kryebashkiakut.

Pa një diplomë universitare, Imamoglu i opozitës kryesore CHP, do të skualifikohej nga kandidimi për president.

Imamoglu ka deklaruar se vendimi i universitetit ishte i paligjshëm dhe jashtë juridiksionit të tij dhe se ai do të nisë një sfidë ligjore.

Imamoglu është zgjedhur kryebashkiak i qytetit më të madh dhe më të populluar të Turqisë në vitin 2019 dhe përsëri në vitin 2024. Votimi i ardhshëm presidencial është planifikuar për vitin 2028, por disa analistë thonë se Erdogani mund të kërkojë zgjedhje të parakohshme që do t’i lejojnë atij të anashkalojë kufijtë e mandatit.