Kryetari i LDK-së, Lumir Abidixhiku, e ka komentuar gjuhën e përdorur nga kryeministri në detyrë dhe kandidati i VV-së për këtë post, Albin Kurti, në natën e zgjedhjeve, i cili i quajti kundërshtarët politikë me termin “hajvanë”.
Abdixhiku tha se nuk është quajtja e kundërshtarëve politikë me një term të tillë ofendues sa është quajtja e qytetarëve që s’e kanë votuar Kurtin.
“Pra, pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës kanë votuar ndryshe, edhe shqiptarëve dhe jo-shqiptarëve në tërësi. Në proporcionin e shqiptarëve është 52 me 48, ndërsa jo-shqiptare është 60 me 40 pak a shumë”.
“Të ofendosh kaq shumë edhe votuesin tjetër është e palogjikshme dhe një përshkrim tipik i një politikani që nuk di të festojë dhe s’di të manifestojë suksesin kur merr fitore”.
“Unë kam shprehur vetëm urime për fituesit dhe kam shprehur urime për popullin e Kosovës që ka treguar demokraci dhe nivel fitues. I kam uruar të gjithë fituesit atë natë, në konferencë për shtyp, se kështu s’kam pasur ndonjë kontakt”, tha Abdixhiku në Rubikon në Klan Kosova.
Abdihxiku tha se gjuha e urrejtjes nga Kurti është një manifestim i një politikani që është konfliktuoz dhe i cili edhe në fitore nuk arrin ta kontrolloj veten.
“Duket se ka pasur një mllef të madh që s’e kuptoj dot. Një fitues do të duhej më madhështor në natën e fitores. Do të duhej të ishte më përafrues, më qetësues për popullin e vet. Ke fituar, ndoshta jo në rezultatin që e ke pritur”.
“Por jo të marrësh një rol atakues, sepse nuk është njerëzore dhe as moralisht e drejt të atakosh kundërshtarët politikë me gjuhë ofenduese të tillë, e aq më pak qytetarët që i kanë votuar ata atë natë”.
“Unë kam qenë i treti, por të takon në nivelin njerëzor të sillesh edhe me kundërshtarin politik. Të thuash ‘shikoni, gara ka përfunduar, urime për rezultatet, qytetarët kanë vendosur kështu dhe shohim tutje’”, tha ai.