Qeveria e Kosovës të mërkurën ka miratuar në parim nismën për lidhjen e një marrëveshjeje kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë ka ndarë detaje nga kjo marrëveshje me ShBA-të.
Ai ka thënë se për përmbajtjen e kësaj marrëveshje janë darkodruar gjatë vizitës së tij që ka pasur në ShBA më saktësisht në Departamentin e Mbrojtjes në janar të këtij viti.
“Marrëveshje tejet e rëndësishme, e dyta e tillë pas asaj që nënshkruam me Republikën e Turqisë vitin e kaluar. Kjo marrëveshje parasheh thellim dhe zgjerim të bashkëpunimit dhe fuqizim në fushën e mbrojtjes me ShBA-të në shumë fusha të mbrojtjes siç është bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes”, tha Maqedonci.
Maqedonci theksoi se përmes kësaj marrëveshje ShBA-të do të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“ShBA-të janë zotuar përmes kësaj marrëveshje që do të mbështesin në aspektin Teknik, procedural dhe aspekte tjera Kosovën drejt anëtarësimit në NATO dhe në iniciativat regjionale”, tha Maqedonci.
Ministri theksoi se janë pesë pika kryesore për të cilat janë dakorduar që të bashkëpunojmë bashkë me ShBA-të.
“Planifikimi i mbrojtjes dhe qeverisja e mbrojtjes: ShBA-të do të mbështesin Ministrinë e Mbrojtjes për një planifikim profesional të mbrojtjes dhe qeverisjes së mbrojtjes me qëllim të rritjes së mbikëqyrjes civile . Menaxhimi i resurseve humane dhe të mbrojtjes do të jenë fushat tjera ku do të bashkëpunojmë me SHBA-të. Ndërtimi i kapaciteteve strategjike ushtarake: ShBA-të do të mbështesin Republikën e Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve strategjike ushtarake duke përfshirë edhe mbrojtjen ajrore, kapacitetet ajrore dhe fushat tjera që jemi duke punuar për ti ndërtuar në fazën e tretë të tranzicionit”, tha Maqedonci.
Maqedonci shtoi se ShBA-të do të sjellin ekipe që do të bëjnë vlerësim dhe do të mbështesin Ministrinë e Mbrojtjes në prokurimin e sistemit të armatimit të nivelit strategjik.
“Kjo marrëveshje parasheh edhe bashkëpunimin me qëllim angazhimin regjional dhe ndërkombëtar. Ne bashkë me ShBA-të do të ndërtojmë plane dhe do të kemi mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Kosovës në NATO”, tha ministri.