Tjetër superndeshje në Madrid

Në stadiumin “Metropolitano” pritet spektakël futbolli të mërkurën mbrëma. Prej orës 21:00 takohen Atletico Madridi dhe Real Madridi, në ndeshjen vendimtare për kualifikim në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Real Madridi e fitoi 2:1 ndeshjen e parë të një të tetës së finales, të zhvilluar në “Santiago Bernabeu” të martën e javës së kaluar. Kështu Reali ka vazhduar dominimin e plotë ndaj rivalit lokal në Champions.

Por rezultati i ndeshjes së parë e lë plotësisht të hapur sfidën për ndeshjen e dytë. Dhe tani do të jetë Atletico Madridi që do të ketë përkrahje të madhe nga tribunat.

Skuadra e Diego Simeones nuk është në momentin më të mirë. Pas humbjes nga Reali pësoi humbje shokuese edhe nga Getafe në La Liga, në fundjavë. Ka mbetur një hap prapa edhe në garën për titull të kampionit në Spanjë, ku po zhvillon luftë të hatashme me Barcelonën dhe Realin.

Real Madridi fitoi në fundjavë ndaj Rayo Vallecanos, por edhe kjo skuadër është më prapa se Barcelona në garën në La Liga.

Aktualisht megjithatë i gjithë fokusi është te ndeshja e së mërkurës mbrëma.

Dy skuadrat e Madridit nuk kanë më rast për t’u përmirësuar në Champions. Kështu që pritet ndeshje edhe e kujdesshme, por e zjarrtë.

“Jemi të motivuar si gjithnjë në këtë garë. Kemi besim se do të vazhdojmë të jemi pjesë e garës. Është ndeshje që na mundëson të vazhdojmë të ëndërrojmë për titull. Këtë vit është më e komplikuar, por duam të vazhdojmë të garojmë deri në ndeshjen e fundit”, ka thënë trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti.

Ai sërish foli me respekt për rivalin lokal.

“Të gjitha ndeshjet me Atleticon kanë përfunduar me rezultat të ngushtë dhe nesër do të jetë njëjtë. Ndeshjet me këtë skuadër vendosen nga detaje të vogla. Edhe ata që nuk startojnë do të kontribuojnë. Një ndërrim i mirë në skuadër mund ta bëjë dallimin”.

Trajneri i Atleticos, si zakonisht, ka shprehur besimin e plotë në skuadër. Ai ka thënë se u beson plotësisht lojtarëve.

“E kuptoj zemrën që lojtarët e mi e kanë. Ne do të vazhdojmë në Champions, pasi ky është synimi ynë më i madh. I kemi disa lojtarë të rinj që nuk janë mësuar me këso ndeshjesh. Është pjesë e rritjes dhe përmirësimit të tyre. Secili lojtar në botë dëshiron të luajë në këtë ndeshje”, ka thënë Simeone.

Rivalitet i madh pritet edhe në ndeshjen e parë të së mërkurës. Lille e pret Borussia Dortmundin nga ora 18:45. Ndeshja në Gjermani kishte përfunduar 1:1, kështu që çerekfinalisti do të vendoset në Francë.

“Jemi në një seri të jashtëzakonshme dhe duam të vazhdojmë. Duhet ta shijojmë ndeshjen, të mbesim të qetë. Duhet të jesh në 100 për qind të potencialit, përndryshe rrezikon dështimin. Varet nga ne nëse do të japim më të mirën. Nëse e bëjmë këtë, atëherë e pranoj çdo rezultat”, ka thënë trajneri i Lillet, Bruno Genesio.

Kjo skuadër sërish do të jetë pa Edon Zhegrovën.

Dortmundi ka pasur edicion të vështirë, kurse kalimi në çerekfinale të Championsit do të ishte e arritur e madhe për skuadrën gjermane.

Në dy ndeshjet e tjera skuadrat angleze janë favorite të mëdha.

Aston Villa fitoi 3:1 ndaj Club Brugge në Belgjikë, ndërsa pret ta konfirmojë kualifikimin në ndeshjen në “Villa Park”. Kjo ndeshje zhvillohet prej orës 21:00.

Fitore edhe më të thellë shënoi Arsenali në ndeshjen e parë. Londinezët fituan 7:1 në Holandë ndaj PSV-së. Rrjedhimisht ndeshja që zhvillohet prej orës 21:00 në “Emirates” për Arsenalin është vetëm përgatitje para sfidave në çerekfinale të Championsit.