6 zëvendësues të mishit për proteina

Tashmë ka dëshmi të qarta të rrezikut për shëndetin nga mishi i kuq dhe ai i procesuar. Gazeta prestigjioze “New York Times” ka renditur 6 ushqimet që janë burim proteine, e që mund të përdoren si alternativa të mishit:

Bishtajoret

Fasulet, bizelet, kikirikët – bishtajoret janë “të përballueshme, ushqyese dhe të shijshme”, ka thënë Julia Wolfson, profesoreshë e asociuar e shëndetit në Shkollën e Shëndetit Publik “Johns Hopkins Bloomberg”.

Një gjysmë gote thjerrëza të ziera, për shembull, ka pothuajse nëntë gramë proteinë.

Bishtajoret janë gjithashtu të pasura me fibra, antioksidantë dhe ushqyes si vitaminat B, hekuri dhe kaliumi. Disa fasule madje kanë më shumë antioksidantë që reduktojnë inflamacionin dhe luftojnë kancerin.

Vezët

Ekspertët thonë se ato janë burim i rëndësishëm i proteinave që mund të konsumohen në mënyra të pafundme.

Një vezë ka gjashtë gramë proteinë, një sasi mbresëlënëse për vetëm 70 kalori. Dhe ajo përmban një sërë ushqyesish si vitamina B12, riboflavinë dhe vitaminë D.

Vezët janë burim i veçantë i proteinave për ata që janë vegjetarianë ose që duan të përfshijnë më shumë vakte vegjetariane në dietën e tyre.

Peshku

Shumë lloje të peshqve, veçanërisht opsionet si salmoni dhe sardelet, konsiderohen alternativa shumë të shëndetshme në krahasim me mishin e kuq.

Një porcion prej 100 gramë salmon ka rreth 22 gramë proteina. Por pika kryesore ushqyese e shitjes së peshkut mbi mishin e kuq është se peshku është i ngarkuar me yndyra të pangopura që janë të shëndetshme për zemrën.

Produktet e qumështit

Produktet e qumështit me pak dhe pa yndyrë si qumështi, kosi dhe gjiza janë shpesh burime të lira dhe të gjithanshme të proteinave.

Ato jenë të pasura me përbërës që shumë njerëz nuk i konsumojnë shpesh, sikurse kalciumi dhe vitamina D.

Arroret dhe farat

Arroret – siç janë bajamet, arra, fëstëkët – kanë ndërmjet vetes tre deri në gjashtë gramë proteina. Ato gjithashtu ofrojnë vlera ushqyese sikurse fibrat dhe yndyrat e shëndetshme që janë të mira për zemrën dhe nivelin e sheqerit në gjak.

Farat si susami, kungulli, dhe farat e lulediellit kanë rreth pesë deri në nëntë gramë proteina. Ato janë të mbushura me proteina dhe fibra të shëndetshme.

Drithërat

Ka lloje të drithërave që janë të mbushura me proteina, të cilat mjekët i rekomandojnë, duke përfshirë tërshërën e mbështjellë, orizin e egër, tefin, melin dhe amarantin. Të gjithë furnizojnë me proteina, si dhe një sërë vitaminash dhe mineralesh thelbësore.