Prokuroria autorizon policinë për hetim ndaj KQZ-së pas rënies së faqes

Policia e Kosovës është autorizuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës që të nisë hetim ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rënien e uebsajtit të tyre, pas përfundimit të procesit zgjedhor të 9 shkurtit, derisa ishin duke u numëruar votat.

Për Klankosova.tv nga prokuroria në fjalë thanë se hetimi bëhet për ndonjë abuzim apo keqpërdorim të votave.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju informojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar që Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, të ndërmarrë veprime apo masa hetimore për secilin abuzim apo keqpërdorim të votave pas rënies së uebfaqes së KQZ-së”, thanë nga prokuroria për Klankosova.tv.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kishte deklaruar se nuk dihet shkaku i rënies së uebsajtit në momente e lartëcekura, ai kishte pohuar se tërë ditën u kishte punuar faqja, por u kishte rënë në disa momente pas procesit të votimit.