PD reagon për arrestimin e Veliajt: Me urdhër të Ramës

Partia Demokratike reagoi nëpërmjet drejtuesit politik të Tiranës, Belind Këlliçi, pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Këlliçi tha se arrestimi i Veliajt ka ardhur me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Kjo, sipas Këlliçit, për të sfumuar lajmin se “kryearkitekti” i fushatës së Donald Trump në SHBA do të drejtojë edhe fushatën e selisë blu në zgjedhjet e 11 Majit.

“Zoti LaCivita paralajmëroi në konferencën për shtyp, se kukullat e George Soros nuk mund të jenë më partnerë të SHBA-ve dhe ato do të çmontohen një nga një. Atë që deri dje konsiderohej e pamundur, ne do ta bëjmë të mundur! Tronditja që shkaktoi ardhja e krahut të djathtë të Presidentit Trump, Chris LaCivita, çoi në urdhrin e menjëhershëm dhe të pashmangshëm të Edi Ramës për arrestimin e Erion Veliajt. Edi Rama zgjodhi të arrestojë Veliajn pikërisht ditën e sotme, vetëm me qëllimin e sfumimit të lajmit të shumëpritur se Partia Demokratike dhe SHBA ecin përkrah njëra tjetrës, më fuqishëm dhe më të sigurta se kurrë”, tha Këlliçi.

Këlliçi tha se arrestimi i Veliajt është “hapi i parë në çmontimin e plotë të infrastrukturës së George dhe Alex Soros në Shqipëri”.

“Pas mbyllje së USAID, po shkon drejt mbylljes edhe Bashkia e Tiranës, dhe pas saj më 11 maj, edhe qeveria më e korruptuar në Europë, qeveria e Edi Ramës. Ashtu siç premtoi pak orë më pare Chris LaCivita, ndikimi i Soros dhe kukullave të tij në vendin tone, do të shuhet përgjithmonë”, tha ai.