Si ndikon në shëndet konsumimi i tepërt i sheqerit në fëmijëri?

Në ditët e sotme fëmijët konsumojnë më shumë sheqer se sa rekomandohet dhe kjo ndikon jo vetëm në fëmijëri, por edhe më vonë në jetë. 

National Geographic ka raportuar se studimet kanë treguar se konsumimi i sheqerit që në fëmijëri mund të shkaktojë probleme shëndetësore si presioni i lartë i gjakut dhe diabeti i tipit 2 në moshën e rritur. Një studim i botuar në revistën “Science”  ka zbuluar se të rriturit që janë ekspozuar ndaj sheqerit në moshë të re kanë më shumë mundësi t’i zhvillojnë këto sëmundje.

Hulumtimet dhe ndikimi i sheqerit në shëndet

Një studim unik nga Lufta e Dytë Botërore ka treguar se fëmijët që konsumuan më pak sheqer për shkak të kufizimeve gjatë luftës kishin 35% më pak mundësi të zhvillonin diabet dhe 20% më pak mundësi të kishin presion të lartë të gjakut si të rritur. 

Kjo gjë ka treguar se sa i rëndësishëm është kufizimi i sheqerit që në fëmijëri.

“Reduktimi i sheqerit që në moshë të re është ka shumë ndikim për shëndetin afatgjatë”, ka thënë Tadeja Gracner, shkencëtare në Universitetin e Californias, e cila është bashkëautore e studimit.

Ndikimi i sheqerit te shëndeti i fëmijëve

Sheqeri i tepërt është shkaktar kryesor i obezitetit te fëmijët. Ushqimet me sheqer janë të pasura me kalori dhe ndihmojnë në formimin e zakoneve të këqija ushqimore, duke rritur rrezikun e diabetit të tipit 2. Studime kanë treguar se konsumimi i sheqerit rrit ndjeshëm rezistencën ndaj insulinës te fëmijët, e cila është shenjë e hershme e diabetit.

Sa sheqer është shumë?

Përparimet shkencore kanë treguar se edhe sasia e vogël e sheqerit mund të ndikojë në shëndet. Marrja e 10% të kalorive ditore nga sheqeri rrit nivelet e yndyrës në mëlçi. Sheqeri i gjetur në pijet e gazuara dhe ushqimet e përpunuara është veçanërisht i dëmshëm.

Si të reduktohet konsumimi i sheqerit te fëmijët

Reduktimi i sheqerit është i vështirë, pasi ai është i pranishëm në shumë produkte. Prindërit duhet të lexojnë etiketat e produkteve dhe të jenë të kujdesshëm me ato që përmbajnë sheqer të shtuar, si pijet e gazuara dhe lëngjet e frutave.

Ngrënia e ushqimeve të shëndetshme, si ushqimet e papërpunuara dhe pirja e ujit, mund të ndihmojë shumë në reduktimin e sheqerit.

Mësimi i kufizimeve që në fëmijëri

Për t’i mësuar fëmijët të konsumojnë sheqer me masë, prindërit duhet t’i ndihmojnë ata të krijojnë zakone të shëndetshme ushqimi që do t’i shoqërojnë gjatë gjithë jetës.