KEDS mobilizon afro 1000 punëtorë ditën e zgjedhjeve

KEDS ka përfunduar të gjitha parapërgatitjet për ditën e zgjedhjeve që të ketë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për të gjitha qendrat e votimit në Kosovë.

Me qëllim të shmangies së çfarëdo ngjarjeje të papritur me furnizim me energji elektrike, dhe me qëllim të pranimit të shpejtë të informatave të tilla, si dhe për të intervenuar në afatin më të shkurtër kohor, KEDS ka ndërmarrë hapat si në vijim:

  • Afro 1000 punëtorë të KEDS-it do të jenë të angazhuar gjatë ditës së zgjedhjeve, ku secila qendër e votimit dhe çdo lokacion do të kenë punonjës kujdestarë në dispozicion;
  • Qendra Dispeqerike e KEDS-it do të punojë me kapacitete të shtuara;
  • Qendra e Thirrjeve do të punojë me kapacitete të shtuara.

Këto kapacitete të KEDS-it do të jenë në dispozicion që nga momenti i hapjes së qendrave të votimit e deri në përfundimin e tyre.

Pavarësisht kësaj, KEDS u ka kërkuar autoriteteve përkatëse në Republikën e Kosovës-përgjegjëse për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, që të sigurohen bateri emergjente dhe/ose gjeneratorë funksionalë në rast të ndonjë ndërprerje të paplanifikuar e të paparashikuar në qendrat e votimit.

KEDS, po ashtu informon se ditën e zgjedhjeve nuk ka planifikuar asnjë mirëmbajtje të rrjetit elektrik shpërndarës ose ndonjë plan investiv.

KEDS u bën thirrje të gjithë qytetarëve që në rast të ndonjë avarie të paraqitur në rrjet, të lajmërojnë menjëherë kompaninë, duke thirrur në Qendrën e Thirrjeve pa pagesë, në: 080079100, përmes rrjeteve sociale ose në zyrat më të afërta të kompanisë.