Qeveria ia jep pronat e Agjencisë Pyjore FSK-së

Qeveria e Kosovës ka miratuar dhënien në shfrytëzim të pronave të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me ngritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e kushteve Ushtria e Kosovës po forcohet.

“Ushtrinë tonë po e rrisim dhe forcojmë, më shumë dinjitet, më shumë kushte, më shumë buxhet e më shumë armatim po i shtohet Forcës së Sigurisë së Kosovës … sot me datën e rënies së heroit Zahir Pajaziti, do të marrim vendim për dhënien në shfrytëzim të ushtrisë të pronës në Batllavë, për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së do të shfrytëzohen pronat e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, përkatësisht pronës shoqërore ne Batllavë më sipërfaqe prej 100 hektarësh e cila do të vihet në shfrytëzim për ngritjen e kapaciteteve operacionale të ushtrisë sonë”.

Ka miratuar propozim-vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projektit: Zgjerimi i rrugës nacionale N9 Kijevë-Zahaq, segmenti Dollc-Ramun; propozim-vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projektit: Zgjerimi i rrugës nacionale N2 segmenti “Hyrja në qytetin e Ferizajt”; propozim vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projektit: Ndërtimi i rrugës rajonale R-118 Mushtisht-Shtëprcë; propozim vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projektit: Zgjerimi i rrugës nacionale N25, segmenti QMI-Lipjan.

Qeveria ka miratuar po ashtu kërkesën për pagesë të 224 specializantëve me vetëfinancim dhe atë për pagesë të 30 specializantëve me vetëfinancim nga Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi.

Ndërkaq, kabineti ka miratuar themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e 17 shkurtit – Ditës së Pavarësisë – me kryesues ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku.

Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 247-të të Qeverisë

Prishtinë, 31 janar 2025

Të nderuar zëvendëskryeministra,

Të nderuar ministra,

Të nderuar punonjës të Kryeministrisë dhe të mediave,

Të dashur qytetarë,

Po e mbyllim muajin e parë të vitit duke u bërë bashkë në mbledhjen e 247-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjersa po shkojmë drejt fundit të këtij mandati tonë të parë të plotë qeverisës, pra me mbledhje qeveritare edhe më shpesh se sa një herë në gjashtë ditë kalendarike. Gjithsej 319 projektligje të miratuara në këto katër vite të qeverisjes sonë, e sot i kemi edhe 20 vendime të tjera, për një total prej 2181 vendimesh të marra që nga fillimi i qeverisjes sonë me 23 mars 2021.

Në këtë mandat shëndetësia e veçanërisht mjekët si profesion fisnik, kanë qenë në fokus të politikave tona. Kemi nevojë për shëndetësi që është në shërbim të qytetarit e mjekë që punojnë me devotshmëri dhe përkushtim. Përkrahjen tonë të parezervë po e vijojmë me shqyrtimin e kërkesës për pagesë të 224 specializantëve me vetëfinancim, në vlerë prej 2.3 milionë euro, për periudhën 1 janar deri 31 dhjetor të këtij viti. E mjekë tanë janë edhe bashkatdhetarët nga Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi. Për Luginën nuk mjafton vetëm rritje e buxhetit me nga 1 milion euro vit pas viti, por po përkujdesemi që kategori e profesione të ndryshme t’i përkrahim sipas mundësive e krahas edhe nevojës. Andaj po e vazhdojmë mbështetjen edhe për 30 specializantë që vijnë nga vendet e rajonit, në vlerë prej 316 mijë euro, duke përfshirë pra specializantët nga Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi.

Ushtrinë tonë po e rrisim dhe forcojmë. Më shumë dinjitet, më shumë kushte, më shumë buxhet e më shumë armatim po i shtohet Forcës së Sigurisë së Kosovës. E në ditën e ditëlindjes së heroit tonë, Zahir Pajaziti, pra me 1 nëntor të vitit të kaluar e kemi bërë pranim-dorëzimin e aeroportit të Dumoshit, ndërkaq sot në datën e rënies së Zahir Pajazitit do të marrim vendim për dhënien në shfrytëzim për ushtrinë të hapësirës në Batllavë.

Për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe vetë Forcës së Sigurisë së Kosovës, do të shfrytëzojmë pronat e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, përkatësisht pronës shoqërore në Batllavë në sipërfaqe prej 100 hektarësh, e cila do të vihet në shfrytëzim për ngritjen e kapaciteteve operacionale të ushtrisë sonë.

Kur erdhëm në qeverisje shumë autostrada e rrugë kishin mbetur të zvarritura në punime, peng i keqpërdorimeve dhe mungesës së planifikimit adekuat e profesional. Për të vazhduar përfundimin suksesshëm të shumë projekteve infrastrukturore, në këtë mbledhje po vijojmë edhe me shpronësimet për interes publik, për të ecur tutje me realizimin e: zgjerimit të Rrugës Kijevë-Zahaq, Segmenti Dollc-Ramun; pastaj Segmentin “Hyrja në Qytetin e Ferizajt”; më tej ndërtimit të Rrugës Rajonale Mushtisht-Shtërpcë; e zgjerimit të Rrugës Nacionale N25, Segmenti QMI-Lipjan.

Si qeveri e përshëndesim marrëveshjen e armëpushimit të arritur në Gaza si rezultat i së cilës faza e parë në këtë marrëveshje parasheh krijimin e mundësisë së dërgimit të ndihmave për popullin palestinez. Për këtë qëllim, Qeveria e Republikës së Kosovës, Republika e Kosovës do të ndajë gjysëm milioni euro mbështetje për popullin palestinez në Gaza. Urojmë dhe bëjmë thirrje që ky armëpushim i përkohshëm të shfrytëzohet për arritjen e paqes së qëndrueshme.

Ju faleminderit e tash po kalojmë në pikat e rendit të ditës të parapara për mbledhjen e sotme.