A është e vërtetë që stresi shkakton shtimin e peshës?

Ndërkohë që stresi mund të krijojë problem për shumë persona, të cilat si pasojë e tij mund të shtojnë peshë duke ngrënë sasi të madhe të ushqimit kalorik, në mënyrë që të ndjejnë pak lehtësim një doktoreshë nga Universiteti i Bostonit ka thënë se fjalia që përdoret shpesh “stresi shkakton shtim të peshës”, mund të jetë pjesërisht e vërtetë.

“Kjo është pjesërisht e vërtetë”, ka thënë doktoresha Caroline Apovian, drejtoreshë e Qendrës së Menaxhimit të Ushqimit dhe Peshës në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Bostonit. 

Sipas saj, stresi mund të çojë në shtim të peshës, por se nuk është vetë stresi që e shkakton këtë për shkak të ndonjë arsyeje metabolike, ka shkruar The Guardian.

“Problemi qëndron te fakti se njerëzit si pasojë e stresit konsumojnë sasi të madhe të ushqimit. Kur trupi ndjen kërcënim, ai lëshon hormone, një prej të cilave është kortizoli”, ka thënë tutje ajo.
Kortizoli rrit ritmin e rrahjeve të zemrës dhe i bën njerëzit të ndiejnë ankth, duke i motivuar të bëjnë sjellje që “ofrojnë shpërblime”.

“Frika në kohët e shkuara i bënte njerëzit që të iknin me vrap nga ndonjë kafshë, e cila u kërcënonte jetën. Por tash njerëzit janë të stresuar nga afatet e shkurtra që lidhen me jetën e përditshme, si ngutja pasi mund të jenë vonuar në punë, apo ngutja për ta përfunduar në kohë ndonjë projekt të caktuat”, ka shpjeguar  Apovian. 

Ajo ka thënë se këtu vjen në konsideratë ushqimi, i cili përkohësisht mund të ofrojë një ndjesi qetësimi.

Sipas Apovian, ushqimi qetëson disa ankthe. 

Ai prek ndjenjën e shpërblimit, e cila i ndihmon njerëzit të qetësohen.

“Kjo është veçanërisht e vërtetë për ushqimet që përmbajnë shumë sheqer dhe yndyra, të cilat ofrojnë efekt të shkurtër qetësues”, ka thënë doktoresha.

Por sipas Apovianit, kortizoli nuk e bën më të vështirë humbjen e peshës.

Ajo ka shpjeguar se, nëse dikush ka shtuar peshë gjatë një periudhe stresuese, mund të jetë e mundur ta humbë atë kur të kthehet në mënyrën e zakonshme të të ushqyerit.

Megjithatë, sa më gjatë të ketë vazhduar periudha e konsumimit të sasisë së madhe të ushqimit, aq më e vështirë mund të bëhet.

“Kjo ndodh sepse mund të jetë rritur pesha e zakonshme trupore dhe mund të duhet të luftoni me zakone të thella”, ka thënë ajo.

Apovian ka rekomanduar që nëse dikush po kalon ndonjë periudhë të stresuar, është e rëndësishme të përpiqet ta lehtësojë stresin në mënyra të tjera, jo duke ngrënë ushqim.

“Më e mira është të bëni ushtrime dhe të lironi stresin në mënyrë të fuqishme, ose, varësisht nga natyra juaj, meditimi mund të ndihmojë”, ka thënë ndër të tjera doktoresha.