NATO-ja e mbështet dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, si mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje afatgjatë, ka thënë komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor, Michele Risi, në një intervistë ekskluzive për “Kohën Ditore”, me rastin e 21-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Kjo është intervista e tij e parë për një medium kosovar, që nga marrja e detyrës së udhëheqjes me KFOR-in.
“Ne mbështesim të gjitha përpjekjet në këtë drejtim dhe do të mirëpresim çdo marrëveshje përfundimtare të ndërsjellë e cila do t’i kontribuojë rajonit në arritjen e paqes, stabilitetit dhe qëndrueshmërisë”, ka theksuar Risi.
Sa i përket rrezikut të rindezjes së tensioneve ndëretnike për shkak të diskutimeve që implikojnë edhe ndryshim kufijsh në Ballkan, komandanti i KFOR-it ka shtuar se pret nga të gjithë akterët në rajon të tregohen të përmbajtur.
“Nuk do të ketë perspektivë reale për një të ardhme më të mirë në Ballkan, as për serbët, as shqiptarët, pa respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe të drejtat e të gjitha komuniteteve. Dialogu konstruktiv është thelbësor për stabilitetin rajonal”, ka theksuar Risi, i cili mori komandën e KFOR-it në nëntorin e vitit të kaluar.
Sa i përket veriut të Kosovës, Risi ka treguar se pse ura e Ibrit që nuk është hapur ende për qarkullimin e automjeteve ka një vlerë të madhe simbolike. Sipas tij, çdo çështje që ndërlidhet me të duhet të trajtohet me kujdes.
Ai ka komentuar edhe për marrëveshjen e cila ia ndalon FSK-së të shkojë në veri pa lejen e komandantit të KFOR-it. Risi ka thënë se pret që autoritetet lokale të vazhdojnë t’i qëndrojnë pas marrëveshjes së nënshkruar me NATO-n. Ndërkaq vendimi i Kuvendit për shndërrimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës në ushtri nuk ka pasur ndonjë ndikim tek KFOR-i. Risi ka thënë se po rishikojnë nivelin e angazhimit të NATO-s me FSK-në, dhe se ky diskutim po vazhdon ende.
Komandanti i KFOR-it ka folur edhe për “luftën” e KFOR-it kundër pandemisë COVID-19; rreziqet që i kanosen Kosovës, dhe përfshirjen eventuale të kësaj force në rast të cenimit të sigurisë si pasojë e zhvillimeve politike.
KFOR-i, 21 vjet pas zbarkimit në Kosovë
KD: Më 12 qershor, Kosova shënon përvjetorin e hyrjes së trupave të KFOR-it në Kosovë. Cila është rëndësia e kësaj dite?
Risi: Njëzet e një vjet më parë, me ardhjen e trupave të para të misionit të KFOR-it të udhëhequra nga NATO-ja, Kosova u fut në një periudhë të re paqeje dhe stabiliteti. Ky përvjetor paraqet një mundësi për të reflektuar në arritjet e shumta domethënëse që janë bërë deri më sot, falë mbrojtjes dhe sigurisë, ku bashkë me lirinë e lëvizjes që nga viti 1999, mijëra burra dhe gra të KFOR-it e kanë ofruar për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike, nën mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo datë është një mundësi – gjithashtu dhe më e rëndësishme, të shikojmë drejt së ardhmes. Disa ushtarë të KFOR-it kanë humbur jetën për ruajtjen e paqes, kështu që kjo ditë u kushtohet edhe përkujtimit të tyre. Misioni i KFOR-it i mandatuar nga Kombet e Bashkuara mbetet i pandryshuar. Gjithashtu NATO-ja vazhdon të mbështetë me vendosmëri dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si zgjidhja e vetme politike e qëndrueshme për çështjet që po vazhdojnë; kjo është thelbësore për sigurinë vendore dhe më gjerësisht për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kështu që në përgjithësi misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja mbetet faktor i domosdoshëm i stabilitetit për të ardhmen e Kosovës dhe sigurinë rajonale.