Kosova ka 1.586.659 banorë të regjistruar

Kosova i ka 1.586.659 banorë të regjistruar, sipas raportit përfundimtar të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për regjistrimin e popullsisë për vitin 2024.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, tha në një konferencë për media në Prishtinë se ASK-ja e ka bërë vlerësimin për komunat me shumicë serbe në veri të vendit, ku kryesisht u bojkotua procesi.

Ai tha se ASK-ja vlerëson se Kosova ka një popullsi të përgjithshme rezidente prej 1.602.515.

Numri i saktë i banorëve në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës nuk është i njohur, megjithatë gjatë procesit të fundit të votimit atje në prill, të drejtë vote kishin 46.556 qytetarë, këtu përfshihen edhe vende ku jetojnë komuniteti shqiptar.

Sipas të dhënave zyrtare nga regjistrimi i kaluar i popullsisë i realizuar më 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë ishte rreth 1.7 milion. Procesi edhe në ate kohë ishte bojkotuar në masë të madhe nga serbët.

Censusi i vitit 2024 tregon se struktura etnike në Kosovë mbetet pothuajse e njëjtë si në vitin 2011, me shqiptarët që përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë dhe pakicat që ruajnë praninë e konsiderueshme, tha ASK-ja.

humica dërrmuese e banorëve janë deklaruar se i përkasin besimit islam, ndërsa komunitetet ortodokse dhe katolike përfaqësojnë grupet më të mëdha të minoriteteve fetare, sipas ASK-së.

Sipas të dhënave, 11.417 njerëz u vranë, 1.047 u zhdukën, 6.682 u plagosën dhe 3.312 u burgosën ne periudhën shkurt 1998 – qershor 1999.

Ndërkohë, 154.272 ekonomi familjare kanë pësuar dëme në pronë gjatë luftës.

Vlera e dëmeve vetëm në ekonomi familjare, përjashtuar institucionet publike vlerësohet të jetë mbi 5 miliardë euro, sipas censusit.

Periudha e luftës përkufizohet prej 28 shkurt 1998 deri më 11 qershor 1999, thuhet në raportin e ASK-së.

Kastrati tha se ASK-ja vlerëson se për dëmet në njerëz dhe në pronë gjatë luftës ka nënraportim, “sepse jo të gjithë njerëzit që ishin në lutën e viteve 1998-99 kanë qenë prezentë në censusin e vitit 2024”.

Sipas raportit përfundimtar, mosha mesatare e popullsisë në Kosovë tani është 34.84 vjeçe, krahasuar me 29.97 vjeçe në vitin 2011.

Të dhënat tregojnë se 92.8 për qind e banorëve në Kosovë kanë në pronësi banesat e tyre, ndërsa rreth 5.3 për qind jetojnë me qira.

Raporti ka gjetur një ulje prej 26.6 për qind në madhësinë e ekonomisë familjare në vitin 2024 krahasuar me regjistrimin e fundit të vitit 2011.

Tani në Kosovë numri mesatar i personave në ekonomi familjare është 4.33 për qind, krahasuar me 5.90 për qind në vitin 2011.

Në këto të dhënat nuk përfshihet numri i pjesëtarëve të diasporës, pasi procesi i regjistrimit të tyre ende po vazhdon.

Aktualisht, sipas ASK-së, në diasporë janë regjistruar rreth 550.000 persona.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, u zhvillua në të gjitha komunat e Kosovës nga 5 prilli deri më 24 maj.