Të martën në Bruksel është mbajtur takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi ndërmjet dy ndërmjetësuesve, atij të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.
Takimi i së martës ishte i ndërmjetësuar nga i dërguari special i BE-së, Miroslav Lajçak.
Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian ka bërë të ditur se pas bisedimeve të gjera të kryesuara nga Lajçaku, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, ranë dakord në Bruksel për termat e referencës për krijimin e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur dhe kjo, në bazë të Deklaratës për Personat e Zhdukur të miratuar më 2 maj 2023 nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Sipas BE-së, Komisioni i Përbashkët, i kryesuar nga Lajçaku, do të jetë përgjegjës për “mbikëqyrjen e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur” dhe do të monitorojë bashkëpunimin e palëve për disa çështje kyçe.
Siç bëhet e ditur se Komisioni do të përqendrohet në:
Identifikimin e vendeve të varrezave dhe gërmimet pasuese;
Aksesin në informacione të sakta dhe të besueshme, duke përfshirë dokumentacionin përkatës vendas dhe ndërkombëtar, përdorimin e të dhënave satelitore, teknologjinë LIDAR dhe mjete të tjera të avancuara për zbulimin e varrezave masive;
Respektimin e të drejtave të familjeve të personave të zhdukur.
Përveç kësaj, Komisioni i Përbashkët do të mbështesë dhe monitorojë bashkëpunimin e Kosovës dhe Serbisë nën Grupin Punues për Personat e Zhdukur, të kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK).
Bashkimi Evropian ka përshëndetur dakordësinë mes palëve, duke theksuar se çështja e personave të zhdukur mbetet një “shqetësim humanitar” dhe se “nevojiten përpjekje urgjente për të mbyllur rastet për familjet e prekura dhe komunitetin e gjerë”.
Nga 6,065 raste të personave të zhdukur gjatë periudhës 1998-2000, prej tyre, 1,607 persona ende janë në listën e personave të zhdukur.
BE-ja vlerëson të dyja palët për angazhimin dhe qasjen e tyre konstruktive, e cila bëri të mundur rezultatin e 17 dhjetorit.
Më tej, BE fton palët të emërojnë përfaqësuesit e tyre për takimin e parë deri në mes të janarit të vitit të ardhshëm.
Po ashtu, Bashkimi Evropian e cilësoi progresin e sotëm si një hap të rëndësishëm përpara në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën e Normalizimit.
“Është në dobi të drejtpërdrejtë të qytetarëve në Kosovë dhe Serbi. BE-ja u kërkon të dyja palëve që të fillojnë punën e zbatimit të Marrëveshjes në tërësi”, përfundon njoftimi i Shërbimit të Jashtëm të BE-së.
E pas takimit në Bruksel, Bislimi është deklaruar për media.
Ai ka thënë se ndër të tjera, me Lajçakun kanë folur për hapjen e disa pikave kufitare me Serbinë.
Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë se në fillim të takimit trilateral në Bruksel me homologun nga Serbia, Petar Petkoviq, emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, e ka dënuar sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.
Bislimi tha se Lajçaku tregoi se BE-ja është e gatshme ta ndihmojë Kosovën në hetimin e plotë të këtij rasti, teksa tha se në takimin bilateral me të, janë trajtuar edhe tema të tjera, si ajo për IBM-in por edhe mundësia e hapjes së pikave kufitare në Izvor dhe Kapi.
“Në takimin bilateral kemi trajtuar tema të ndryshme të rëndësishme, ku te Marrëveshja për Menaxhimin e Përbashkët të Kufirit (IBM) kemi diskutuar për mundësinë e riaktivizimit të grupit të përbashkët për implementim, në mënyrë që të trajtohen temat me rëndësi, si ajo e aktivizimit të pikave kufitare në Izovr dhe Kapi, mundësia e hapjes së pikave kufitare sezonale në Mohovc, Breznicë dhe Dobrosin”, ka thënë Bislimi.
“Pastaj domosdoshmëria që të ketë prezencë 24 orëshe të inspektorëve fito-sanitarë te Dheu i Bardhë dhe mundësia që të fillohet me konsolidimin e 13 certifikatave fito-sanitare mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Kemi adresuar edhe fushën e energjisë, ku i kemi potencuar shkeljet e fundit të Serbisë, sidomos mosaktivizimin e linjave të interkoneksionit, po ashtu edhe sabotimin që Serbia po ia bën marrëveshjeve të Brukselit, duke insistuar në fusnota të shpikura në marrëveshjet regjionale”, tha Bislimi.
Më tej, Bislimi tha se me Lajçakun, kanë trajtuar edhe temën e vizitave zyrtare, ku tha se ka brenga në BE që disa vizita po refuzohen pa sqarime shtesë.
“Po ashtu e kemi trajtuar edhe temën e vizitave zyrtare, ku ka brenga që disa vizita po refuzohen pa sqarime shtesë, një praktikë që e ka instaluar Serbia që moti”, tha ai.
Ndërkaq Petkoviq tha se tani është hequr pengesa e fundit kur flitet për zbatimin e deklaratës për personat e pagjetur.
“Ajo për çfarë ramë dakord është se ne kemi bërë hapin e fundit të nevojshëm për çështjen e personave të pagjetur, kështu që tani është hequr pengesa e fundit kur flasim për zbatimin e deklaratës për personat e pagjetur. Kjo do t’i japë mbështetje grupit të punës të kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq,” tha Petkoviq, duke theksuar se për Serbinë, kjo çështje mbetet një “çështje humanitare dhe jo politike, e cila patjetër duhet të zgjidhet.”
Siç raportojnë mediat serbe, Petkoviq gjithashtu nënvizoi rëndësinë e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke theksuar se kjo është një nga çështjet më të rëndësishme për serbët në Kosovë dhe për Beogradin.
Ndërkaq, edhe Komisioni Qeveritar në Kosovë për Persona të Zhdukur ka reaguar duke thënë se pas tre vitesh dialog, bisedimesh të vazhdueshme dhe tendencave të pajustifikueshme për zvarritje nga ana e Serbisë, në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.
“Ky hap përbën një moment të rëndësishëm në adresimin e shqetësimeve tona lidhur me këtë çështje kaq të ndjeshme dhe të rëndësishme për familjet dhe shoqërinë tonë”, thuhet në njoftim.
Komisioni i Përbashkët, i kryesuar nga Bashkimi Evropian, do të jetë trupa më e lartë që do të ketë përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit efektiv dhe në plotësi të Deklaratës së Personave të Zhdukur.
Në Deklaratë, ndër të tjera, thuhet se i jepet qasja e plotë në të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe të gjitha dokumentet e tjera, përfshirë ato që kanë statusin “konfidenciale” dhe që janë në posedim të institucioneve të Kosovës dhe Serbisë.
Mbi 1.600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.