Shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, e ka cilësuar të gabuar dhe të papranueshme sjelljen e kryeministrit Albin Kurti karshi gjyqësorit dhe prokurorisë.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të mbajtur të hënën, Gashi ka thënë se veprimet e Kurtit kanë “koncept të gabuar”.
“Sinjali që dërgohet është sinjal i gabuar. Dhe ky është një model i sjelljes së LVV-së. Ky është një sinjal i gabuar për qytetarët e Kosovës. Ende më keq që të thërret prokurori dhe sjellja e supremacisë politike e ekzekutivit mbi gjyqësorin, prokurorinë është e papranueshme. Është koncept i gabuar”, ka thënë ai.
Lidhur me takimin e 17 dhjetorit mes dy kryenegociatorëve në Bruksel, Gashi ka thënë se nuk pret që të ketë ndonjë ndryshim meqenëse është fundi i mandatit.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Ksovës, Abelard Tahiri, e ka cilësuar si mesazh të keq përgjigjen e Kurtit ndaj Prokurorisë Speciale.
“Është mesazh shumë i keq se qysh i përgjigjet Prokurorisë dhe shembull shumë i keq për qytetarët në vendin tonë”, ka thënë ai.
Sa i përket takimit në Bruksel, Tahiri ka thënë se pjesëmarrjen e Bislimit e sheh të zbehtë.
“Është i vetmi që në sytë e atyre liderëve edhe të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është lider i sanksionuar”, ka thënë ai.
Ndërsa, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se kryeministri Kurti nuk është mbi ligjin.