Në Sfidën e Kodimit, e treta me radhë në nivel vendi, me pajisjen microbit doli fituese ekipi i shkollës Dëshmorët e Vitisë nga Vitia. Kjo Sfidë u organizua në kuadër të programit ‘’Shkollat e Shekullit 21’’ të cilin në Kosovë e implementon “British Council”, në bashkëpunim me Ministrinë e Shkencës, Arsimit dhe Teknologjisë, ndërsa e financon Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
Në këtë sfidë ishin të ftuara të marrin pjesë të gjitha shkollat që kanë përfunduar trajnimet e programit “Shkollat e Shekullit 21” dhe kanë pranuar pajisjet Micro:bit. Pas vlerësimit të 39 projekteve të dorëzuara nga shkollat në mënyrë digjitale një juri ekspertësh ka përzgjedhur 17 projektet më të mira për tu prezantuar në Sfidën e Kodimit në Prishtinë. Tema e Sfidës ishte t’i përgjigjej qëllimeve për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDGs) të Kombeve të Bashkuara.
Drejtori i “British Council” për Kosovë, Angus Bjarnason, tha me këtë rast: “Ishte kënaqësi që sërish të shohim krijimtarinë dhe imagjinatën e nxënësve kosovarë në sfidën e sotme të kodimit. Urime për të dy shkollat fituese nga Vitia dhe Drenasi, të cilat janë zgjedhur për të qenë në mesin e katër shkollave përfaqësuese për Kosovën në Sfidën Rajonale të Kodimit që do të mbahet më vonë gjatë vitit”.
Nxënësit Erza Haziri dhe Edon Neziri, realizuan projektin për ruajtjen e ambientit, kursimin dhe mirë-menaxhimin e parasë publike dhe ruajtjen e energjisë përmes ndriçimit publik nga sensorët e ndërtuar me micro:bit, alarmit për tërmete, si dhe matjes së zhurmës në ambiente publike.
Në këtë ngjarje ishin prezente dhe ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, Ambasadori i Britanisë në Kosovë Nicholas Abbott, si dhe përfaqësues të Drejtorive Komunale të Arsimit.
“Ndjehem e lumtur që kam rastin të marrë pjesë në sfidën e kodimit. Nxënësit e shkollave tona kanë realizuar projekte interesante përmes pajisjes ‘micro bit’ në kuadër të programit Shkollat e Shekullit 21. Siç e dini arsimi është nga prioritet kyçe të qeverisë sonë dhe çdo aktivitet që ka për qëllim rritjen dhe avancim në arsim, shkencë, teknologji dhe inovacion do të mbështet forte nga ne”, tha ministrja Hykmete Bajrami.
“MAShT-i e konsideron programin si një nga iniciativat më të rëndësishme në arsimin fillor, të mesëm dhe të ulët, me qëllim të avancimit të dijes së nxënësve. Përmes teknologjisë ne mund të arrijmë te inovacionet të cilat mund të përmirësojnë mënyrë se si ne bashkëveprojmë me njëri – tjetrin dhe si të zgjedhim sfidat e tanishme e ato që na presin në të ardhmen. Investimi në shkathtësitë digjitale , mendimin kritik dhe zgjidhjen e problemeve është tepër i rëndësishëm për nxënësit tanë, dhe lënda e kodimit do të futet në kurrikilë qysh në ciklin e ulët fillor”.
Me këtë rast, Ambasadori i Britanisë në Kosovë, Nicholas Abbot theksoi: “Të dashur nxënës është kënaqësi për mua të shoh nga afër kreativitin tuaj në këtë sfidë të kodimit. Është partneriteti më i rëndësishëm në arsim ndërmjet Britanisë dhe Kosovës. Ne po punojmë së bashku sepse këto janë aftësitë që i duhen nxënësve si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në Kosovë, përfshijnë mendimin kritik, kodimin dhe zgjidhjen e problemeve”.
Dy vendet e para të Sfidës së Kodimit në nivel të vendit do të kenë mundësinë të marrin pjesë në Sfidën rajonale e cila do të mbahet si pjesë e Samitit Digjital për Ballkanin Perëndimor.
Në Sfidën Rajonale të mbajtur në maj të vitit të kaluar në Beograd, shkolla ‘’Faik Konica’’ nga Prishtina fitoi vendin e dytë.