Një studim ka zbuluar se numri i rasteve me kancer të zorrës së trashë te të rinjtë po rriten më shpejt në Angli se në shumë vende të tjera të botës.
Ekspertët janë ende në fazat e hershme të kuptimit të arsyeve pas këtë rritjej por The Guardian ka shkruar disa nga faktorët që mund të kontribuojnë.
Mënyra e të ushqyerit
Dieta është faktor i rëndësishëm, veçanërisht konsumimi i tepërt i mishit të kuq dhe të përpunuar. Gjithashtu edhe konsumimi i lëngjeve me sasi të madhe të sheqerit ose karbohidrateve të rafinuara dhe të përpunuara e rrit rrezikun.
Është vlerësuar se rreth 13 nga 100 raste të kancerit të zorrës së trashë në Britani lidhen me konsumimin e tepërt të mishit të kuq dhe të përpunuar, siç janë proshuta, salsiçet e sallamet, mishi i konservuar ose “chicken nuggets”, pasi përmbajnë kimikate të quajtura nitrosamine.
Mjekët rekomandojnë që ata që konsumojnë më shumë se 90 g mish të kuq dhe të përpunuar në ditë, ta reduktojnë atë në 70 g ose më pak.
Një alternativë mund të jetë zëvendësimi i mishit të kuq me mish pule ose peshku. Konsumimi i më shumë fibrave gjithashtu ul rrezikun për kancer të zorrës së trashë.
Konsumimi i ushqimeve që nuk përmbajnë fibra shkakton rreth 30% të rasteve të kancerit të zorrës së trashë në Britani.
Për të rritur konsumimin e fibrave, rekomandohet përdorimi i ushqimeve bimore, si fruta, perime, bishtajore dhe drithëra të plota, orizi i kaftë dhe të konsumohet më shumë misër me kalori të ulët në vend të patateve të skuqura. Rekomandohet që për mëngjes të konsumohen drithëra të plota në vend të “kornfleksëve”, të cilat janë drithëra të shumëpërpunuara që përmbajnë sheqer dhe ngjyrues artificialë.
Mbipesha dhe obeziteti janë shkaktar të tjerë të kancerit të zorrës së trashë. Është vlerësuar se 11 nga 100 raste të kancerit të zorrës së trashë në Britani lidhen me mbipeshën.
Mbipeshë do të thotë kur indeksi i masës trupore (BMI) kalon midis 25 dhe 30, ndërsa obez do të thotë kur indeksi i masës trupore është 30 ose më i lartë. Të qenit aktiv fizikisht dhe të ngrënit ushqim të shëndetshëm e të ekuilibruar është e rëndësishme. Ka prova të forta që tregojnë se njerëzit që janë më aktivë kanë rrezik më të ulët për kancer të zorrës së trashë.
Një studim i fundit ka gjetur se aktiviteti fizik në mëngjes dhe mbrëmje mund të reduktojë rrezikun e kancerit të zorrës së trashë me 11% dhe ka sugjeruar se koha e kulmit të aktivitetit mund të luajë “rol thelbësor” në parandalimin e sëmundjes.
Kufizimi i konsumimit të duhanit e alkoolit
Shtatë nga 100 raste të kancerit të zorrës së trashë në Britani janë të lidhura me duhanin dhe është vlerësuar se rreth gjashtë nga 100 raste të kancerit të zorrës së trashë lidhen me konsumimin e alkoolit, veçanërisht pirjen e alkoolit në sasi të mëdha.
Alkooli rrit rrezikun e kancerit sepse kur ai metabolizohet, ndahet në kimikate që mund të lidhen me ADN-në, duke shkaktuar mutacione që mund të bëhen kancerogjene.
Alkooli gjithashtu mund të rrisë nivelet e hormoneve që lidhen me zhvillimin e disa llojeve të kancerit të gjirit. Në përgjithësi, sa më shumë alkool të konsumohet, aq më i lartë është rreziku për të zhvilluar një nga kanceret që lidhen me alkoolin.
Historia familjare
Rreziku për kancerin e zorrës së trashë rritet nëse një anëtar i afërt i familjes, si një prind, vëlla, motër, bir ose bijë, ka pasur këtë sëmundje.
Në 5-6% të rasteve ka predispozitë gjenetike për raste të tjera në familje. Rreziku rritet edhe më shumë nëse më shumë se një i afërm është diagnostikuar ose një anëtar të familjes që është diagnostikuar në moshë të re, për shembull, nën 45 vjeç.
Ka gjithashtu disa kushte të trashëguara ose gjenetike që mund të rrisin rrezikun. Disa nga sëmundjet më të zakonshme të trashëguara që shkaktojnë kancer të zorrës së trashë janë polipoza adenomatose familjare (FAP) dhe sindroma Lynch.
Specialistët rekomandojnë që personat me FAP të bëjnë operacion në zorrën e trashë në moshën 20 vjeçare. Kirurgu zakonisht e heq një pjesë të zorrës së trashë për të parandaluar zhvillimin e kancerit në të.
Koliti ulçerativ dhe sëmundja Crohn Kolit ulçerativ dhe sëmundja Crohn janë sëmundje kronike të zorrëve që shkaktojnë inflamacion në zorrë. Të kesh njërën nga këto sëmundje për shumë vjet rrit rrezikun për kancerin e zorrës së trashë.