Një studim i ri ka treguar se nuk është vetëm sasia e sheqerit që konsumohet, por edhe burimi dhe frekuenca e konsumit të tij që ndikon në shëndetin kardiovaskular.
Studiuesit kanë zbuluar se konsumimi i shpeshtë i sheqerit të shtuar mund ta rrisë rrezikun e sulmit në tru dhe problemeve të tjera shëndetësore. Ndërsa konsumimi i disa ushqimeve të ëmbla, kohë pas kohe, ka lidhshmëri me rrezik më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare, ka raportuar Medical News Today.
Nga ana tjetër, konsumimi i pijeve me sheqer të shtuar është lidhur me rrezik më të lartë të sulmit në tru e dështimit të zemrës, sipas studimit të publikuar më 9 dhjetor 2024 në Frontiers in Public Health.
Lidhja midis sheqerit të shtuar dhe sëmundjeve kardiovaskulare
Për të realizuar studimin, studiuesit analizuan të dhënat nga dy studime të mëdha: “Swedish Mammography Cohort” dhe “Cohort of Swedish Men”.
Ata kanë përdorur pyetësorët e dietës të realizuara në vitet 1997 dhe 2009 për të kuptuar si kishin ndryshuar zakonet ushqimore të pjesëmarrësve.
Pas analizimit të të dhënave nga rreth 70,000 pjesëmarrës, studiuesit ndanë konsumimin e sheqerit në tri kategori: përbërës të ëmbël, ushqime të ëmbla dhe pijet me sheqer të shtuar.
Ata gjithashtu identifikuan disa sëmundje kardiovaskulare, përfshirë sulmet në tru dhe ato në zemër.
Rezultatet treguan se pijet me sheqer të shtuar kishin ndikimin më të keq në shëndet, duke rritur rrezikun për goditje në tru e dështim të zemrës. Po ashtu, konsumimi i tepërt i sheqerit të shtuar kontribuoi në rrezikun për goditje në tru dhe ngushtimi i valvulës së aortës, gjë që e vështirëson qarkullimin e lirshëm të gjakut.
Megjithatë, hulumtuesit kanë zbuluar se konsumimi i herëpashershëm i ëmbëlsirave ka pasur rezultate më të mira për shëndetin kardiovaskular, krahasuar me ata që nuk konsumonin fare.
Pse pijet e sheqerosura janë më të dëmshme se konsumimi i ëmbëlsirave herë pas here?
Dietologia Michelle Routhenstein, ka shpjeguar se pijet e sheqerosura kanë indeks glikemik të lartë, që do të thotë se ato rrisin shpejt nivelet e sheqerit në gjak dhe shkaktojnë shpërthim të insulinës. Konsumimi i shpeshtë i këtyre pijeve mund të çojë në mbingarkesë të trupit, duke shkaktuar rezistencë ndaj insulinës, një gjendje ku qelizat e trupit humbin aftësinë për ta përdorur insulinën.
“Me kalimin e kohës, kjo mund të shkaktojë probleme me metabolizmin e sheqerit në gjak, duke kontribuar në rritjen e depozitimit të yndyrave, inflamacionin dhe dëmtimin e enëve të gjakut, të gjitha faktorë rreziku për sëmundjet kardiovaskulare”, ka thënë Routhenstein.
Në anën tjetër, konsumimi i herëpashershëm i ëmbëlsirave nuk krijon këtë mbingarkesë dhe nuk ndikon negativisht në shëndetin metabolik afatgjatë.
Çfarë kuptohet me ngrënien e ëmbëlsirave “herë pas here”?
Bharathi Ramesh, dietologe profesioniste e studimeve klinike, ka sqaruar se “herë pas here” do të thotë konsumim i ëmbëlsirave me masë, jo më shumë se një ose dy herë në javë, në varësi të zakoneve të përgjithshme ushqimore dhe qëllimeve të shëndetit individual.
Ajo gjithashtu ka theksuar rekomandimet e Shoqatës Amerikane të Zemrës (AHA), që sugjerojnë që sheqeri i shtuar duhet të përbëjë më pak se 10% të kalorive të ditës.
Për shembull, në një dietë me 2,000 kalori, kjo do të thotë më pak se 50 gram (rreth 12 lugë sheqer) në ditë.
Marrëdhënia me pijet dhe ëmbëlsirat
Ramesh ka këshilluar gjithashtu që kur blihen pijet e ëmbla, duhet të kontrollohen sheqeret e fshehura në pije si aromatizuesit, pijet energjike dhe lëngjet e frutave, të cilat mund të shtojnë sasi të paarsyeshme të sheqerit në organizëm.
“Preferenca për ujë, çaj të organik, ose pije pa sheqer të shtuar është mundësi më e shëndetshme, ndërkohë që ndihmon në arritjen e një ekuilibri të nivelit të sheqerit në gjak, duke mos nxitur destabilizimin e tij”, ka thënë ajo.