Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur persona “non grata” dy zyrtarë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut.
Sipas njoftimit të DASH ata janë Artan Grubi, ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe Enver Bexheti, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Maqedonisë së Veriut.
Ata janë të përfshirë në korrupsion duke pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkov.
“Në bazë të Seksionit 7031(c), Departamenti i Shtetit ka përcaktuar publikisht Artan Grubin dhe Enver Bexhetin për përfshirjen e tyre në korrupsion të rëndësishëm duke pranuar ryshfete për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkov, drejtor i Administratës për Siguri dhe Kundërzbulim (UBK) të Maqedonisë së Veriut. Mijalkov u përcaktua në vitin 2022 për korrupsion të rëndësishëm sipas Seksionit 7031(c) dhe u sanksionua nga OFAC në bazë të Urdhrit Ekzekutiv 14033. Si pjesë e këtij veprimi, anëtarët e menjëhershëm të familjes së Grubit gjithashtu janë përcaktuar”, shkruhet në njoftimin e DASH.
Kurse Grubi tha se vendimi i DASH-it e prek personalisht. “Si një person që jetën time publike ia kam kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që gjithmonë kam punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian, ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë i Grubit:
Në mungesë të informacionit të detajuar, u njoha nga mediat për vendimin e sotëm të Departamentit të Shtetit. Si një person që jetën time publike ia kam kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që gjithmonë kam punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian, ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht.
Do të angazhohem me gjithë përkushtimin dhe maksimalisht, së bashku me miqtë dhe partnerët tanë, me të cilët kemi ndarë vizionin dhe punuar ndër vite për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, për të zbardhur plotësisht këtë çështje. Transparenca dhe përkushtimi ndaj vlerave demokratike do të vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e çdo veprimi tim.