Lista Serbe thotë se do të marrë pjesë në zgjedhje

Lista Serbe ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Në njoftimin e lëshuar në Facebook, ky subjekt politik tregon se kanë për qëllim që t’i fitojnë të gjitha ulëset në Kuvendin e Kosovës që i përkasin komunitetit serb.

“Shfrytëzojmë rastin të informojmë opinionin se Lista Serbe, asnjëherë më e fortë, do të marrë pjesë në zgjedhje, do t’i fitojmë të gjitha dhjetë mandatet e destinuara për popullin serb dhe se do ta ruajmë unitetin dhe harmoninë e popullit serb”, thuhet në njoftim.

Në këtë reagim, Lista Serbe shton se përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare në Kosovë kanë heshtur për deklaratën djeshme të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, për deputetët e Listës Serbe.

Dje, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca e ka ndërprerë seancën pasi tha se deputetët e Listës Serbe provokuan.

Konjufca u tregua i ashpër me të njëjtit, të cilët tha se vijnë në Kuvend vetëm për t’i keqpërdorur paratë e taksapaguesve, ndërsa në anën tjetër e luftojnë Kosovën me çdo mjet që kanë.

“Ju drejtohem deputetëve të Listës Serbe që vijnë dhe provokojnë në këtë mënyrë. Është e patolerueshme në Kuvendin e Kosovës kësi sjellje. Një herë në gjashtë muaj vini në Kuvend vetëm për t’i keqpërdorur paratë e taksapaguesve”.

“Në anën tjetër e luftoni Republikën e Kosovës me çdo mjet që e keni, shkoni dhe i rrini gatitu shefit tuaj kriminel, Radoiçiqit, dhe keni guxim të vini këtu në Kuvendin e Kosovës. Turp të keni, kërkoj të ndërprehet kjo seancë dhe kërkojë ta lironi Kuvendin e Kosovës”, tha Konjufca.