Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, reagoi në rrjetet sociale pas shpërthimit në Zubin Potok në kanalin e ujit në Ibër-Lepenc. Ky akt sabotazhi është një krim i rëndë, thotë kreu i qeverisë shqiptare, duke shtuar se godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai bën thirrje për zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes dhe ndëshkimin e autorëve.
“Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë”, shkruan Rama.
Po ashtu ai gjen momentin që të bëjë thirrje për heqjen e sanksioneve të mbetura ndaj Kosovës nga ana e BE-së. Sipas Ramës, unioni duhet të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë, pasi formati ekzistues ka dështuar. Kryeministri shqiptar thotë se është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës.