Stacioni policor në Zveçan është sulmuar të martën nga dy persona të panjohur.
Policia bën të ditur se me datën 26.11.2024 rreth orës 23:55, persona të panjohur kanë hedhur dy granata dore në oborrin e Stacionit Policor në Zveçan.
“Si pasojë e shpërthimit, janë shkaktuar dëme materiale, mirëpo nuk është raportuar për të lënduar. Në lidhje me këtë rast në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet relevante të cilat kanë kryer vendshikimin, gjithashtu është njoftuar edhe Njësia e Krimeve të Rënda, të cilët janë duke punuar intensivisht për të zbuluar autorët e këtij sulmi”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, thuhet se në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.
“Policia e Kosovës dënon ashpër këto veprime të rrezikshme dhe apelon tek qytetarët që të bashkëpunojnë me autoritetet për të ndihmuar në identifikimin e autorëve të këtij sulmi”, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë.
“Çdo informacion që mund të ndihmojë hetimet mund të raportohet në numrat e Policisë apo përmes linjave të besueshme të raportimit”.