Shkruan: Enver Maloku
Në vjeshtën e vonë, përkatësisht në nëntorin e vitit 1944, në Plloçicë të komunës së atëhershme të Kijevës (tash e komunës së Malishevës), është zhvilluar lufta e përgjakshme ndërmjet forcave atdhetare dhe atyre sllavo komuniste, çetnike e partizane, e njohur si Lufta e Plloçicës. Në Kosovë rezistenca kundër pushtueseve ka vazhduar në të gjitha periudhat e historisë. Kundërvënia është bërë me të gjitha format e rezistencës, prej kuvendeve në oda, tubimeve të ndryshme e deri të lufta e armatosur. Plloçica ka një histori të pasur e të bujshme me plotë ngjarje të shënuara, siç është Lufta e vitit 1944 kundër batalionit partizano-çetnik të Rakoshit, të cilën e kishin nisur djemtë dhe burrat e këtij fshati, për t’iu bashkangjitur edhe fshatarë të tjerë të rrethinës. Çdo herë dhe në çdo kohë familja Maloku e ka treguar vetën për trimërinë dhe bujarinë e saj. Prandaj, Plloçica shpesh është djegur e pjekur. Bijtë e bijat e këtij fshati janë vrarë e masakruar, janë ndjekur e përndjekur, në periudha të ndryshme. Kishte Plloçica trima e pleqnarë, që fjala iu shkonte në log të Kuvendit, së bashku me krerë tjerë në zë. Ishin burra të fjalës, po edhe të pushkës. Mbahen mend përleshjet me hordhitë turke, serbomalazeze, austro-hungareze e bullgare. Ishin në krah të Bajram Currit, Isa Boletinit,Sadik Ramës së Gjurgjevikut të Madh, të Ramadan Shabanit të Kijevës, Alush Smajlit të Llazicës, Shaban Polluzhës.
Gjithsesi ky fshat është i njohur për rezistencën e armatosur kundër forcave sllavokomuniste e çetnike, në vjeshtën e vitit 1944. Këtë përleshje të përgjakshme, të njohur si Lufta e Plloçicës, ishte një luftë kundër forcave serbosllave. Regjimet jugosllave e kishin konsideruar rezistencë kundër Jugosllavisë, komunizmit dhe forcave partizane. Mirëpo kjo rezistencë ishte heshtur e lënë në harresë, por jo edhe për pasojat vrasjet, djegiet e burgimet që i kishte përjetuar ky fshat dhe banorët e tij ndër vite nën pushtetin serbosllav, madje edhe deri te privimi i çdo të drejte qytetare, duke përfshirë edhe shkollimin. Sivjet bëhen 80 vjet që kur kishte ndodhur kjo luftë e lavdishme e rezistencës dhe mospajtimet e të qenurit nën robëri e të nënshtruar, madje me asnjë çmim. Arsyet që edhe pushteti serb e jugosllav nuk i ka dhënë publicitet e jehonë, çoftë në mjetet e informimit apo forma të tjera, edhe për faktin se kjo ishte rezistenca e parë e armatosur kundër një pushteti okupues që ishte në ardhje. Dhe për të lënë përshtypjen se në Kosovë nuk është kundërshtuar mbetja Kosovës padrejtësisht nën Serbi e Jugosllavi. Në anën tjetër edhe njohës të tjerë të kësaj ngjarjeje nuk kanë pasur asnjë mundësi që të shkruajnë apo të publikojnë diçka të tillë. Kështu të pakta janë burimet për këtë ngjarje historike. Kalimthi e përmend Ismet Shaqiri në librin e tij “Më kujtohet”, kuptohet në kontekst negativ dhe sipas versionit të tij duke i dhënë karakter armiqësor e kundër jugosllav luftës së Plloçicës. Por kjo nuk do të thotë se në qarqe të ndryshme të Partisë Komuniste Jugosllave e organe të ndryshme shtetërore, policor e organeve të ndjekjes nuk është folur e hartuar dosje. Tash për tash dëshmi e kësaj lufte janë, rrëfimet e njerëzve që e kanë përjetuar këtë luftë dhe pasojat që kanë bartur nga kjo Luftë. Dëshmi tjetër autentike është lënda arkivore nr.K.or.79/52 e dënimit me burg në Gjykatën e Rrethit të Prizrenit në vitin 1952, të njërit nga luftëtarët dhe protagonistit të kësaj lufte, Zenel Mosh Malokut. Kjo lëndë është gjetur në Arkivin e Kosovës, në të cilën përshkruhet kjo luftë “armiqësore” për pushtetin e kohës, si dhe një shkrim-reportazh i shkrimtarit, shkrimtarit, publicistit e kritikut letrar Prend Buzhala, të botuar në gazetën Bujku të datës 9 tetor të vitit 1996 mbi rrëfimet e Zenel Malokut, të vetmit pjesëmarrës të dënuar me akuzën, pjesëmarrje në Luftën e Plloçicës dhe vrasjen partizanit (çetnikut) Millan Pllesha nga Gorazhdeci i Rrethit të Pejës, si dhe ishte dhënë një emision në Televizionin e Prishtinës në vitin 1985, i përgatitur nga Sadri Morina. Ndaj edhe kjo trajtesë më shumë iu referohet këtyre burimeve. Se pse është dënuar vetëm një person, kjo ka pasur edhe karakter të zvogëlimit dhe të minimizimit të kësaj lufte, si rezistencë e parë e armatosur kundër sllavokomunistëve e çetnikëve serbë e kundërshtarëve të tjerë të Kosovës. Lufta e Plloçicës ka ndodhur në fundin e nëntorit të vitit 1944, pas së cilës në vitin 1945 ndodh Lufta e Drenicës, e udhëhequr nga kryetrimi e Komandanti Shaban Polluzha. Lufta e Plloçicës asnjëherë nuk është amnistuar e falur. Këtë e dëshmojnë shumë të dhëna që kanë lënë pjesëmarrësit e saj, por edhe të tjerët. Edhe pushtetet e mëvonshme jugosllave nuk kanë lënë ndonjë të dhënë të hollësishme për Luftën e Plloçicës. Por kjo nuk do të thotë se nuk është folur në çarqe të ngushta partiake e organe të sigurimit. Janë krijuar dosje e letra, dëshmi e etiketime nga më të ndryshme, sidomos kur është dashtë që të nxirrej ndonjë dokumenti apo kërkimi i ndonjë leje për ndonjë veprimtari. Përgjigja gjithmonë ishte negative.
Plloçica ndër shekuj kishte treguar gatishmëri e rezistencë ndaj të gjitha pushtimeve, që nga perandoria Otomane, vitet 1878- 1900, vitet 1912/13, vitet ’20-ta, deri të Lufta e Plloçicës e vitit 1944, e deri në luftën e fundit më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër regjimit kriminal e gjenocidial të Serbisë, kundër ushtrisë e policisë serbe. Kundër pushtuesve turq kishin rënë në Kosharen e Idriz Seferit, Zeqir Osmani e Hisen Hajrizi, që për trimërinë e tyre vargu i këngës thotë “Trima ishin Zeqir Osmani e Hisen Hajrizi që për besë e trimni nuk i pat fisi”. Edhe në luftërat e viteve 1878, të njohura për marrjen e krenave në Karadak, që ndër pleq përcillej thënia “Rugovë e Podgur 72 martinë, nga Llapusha Ibish Vermica e Ibish Maloku. Lidhja Shqiptare e Pejës, duke zbatuar vendimet e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit, organizon kryengritje për mbrojtjen e tokave shqiptare në Mal të Zi, pas Vendimeve të Kongresit të Berlinit ( 1878).
Haxhi Zeka kishte lëshuar Kushtrim për mbrojtjen e territoreve shqiptare nga Mali i Zi. Shqiptarët e Pejës dhe të rrethinës iu kishin përgjigjur pozitivisht atij Kushtrimi. Ndërkaq, Haxhi Zeka e kishte organizuar kryengritjen dhe e kishte furnizuar me armë, municion, bukë dhe veshmbathje.
Ndër ata që iu kishin përgjigjur Kushtrimit të Haxhi Zekës kishte burra-trima nga fshati Pllaqicë: Bajram Mustafa- Maloku (i vrarënë Malt të Zi), Balë Maloku, Bajram Syla-Gshi e të tjerë.
Bajram Syla, në luftë për mbrojtjen e Beranës ( tash territor dhe qytet në Mal të Zi), ishte shquar për trimërinë dhe shkathtësinë e tij. I kishte marrë “dy krena” të luftëtarëve malazezë dhe e kishte marrë kufomën e një bashkëluftëtari shqiptar, duke e bartë në shpinë deri në Pejë, për të mos lejuar që malazezët t’ia merrnin kokën. Për trimërinë dhe sakrificën e tij të rrallë, Haxhi Zeka e kishte dhuruar me një pushkë të Anglisë ( manzere me çelës ), të cilën Bajram Syla e kishte bartur deri në vdekje.
Ndaj edhe janë të njohura edhe betejat në Beran të Malit të Zi, ku kishte rënë trimërisht në përballje me forcat malazeze, Bajram Mustafa-Maloku. Aty ndodhej edhe Balë Maloku, i cili bashkë me luftëtarë të tjerë e kishte tërhequr trupin e Mustafës , për mos ta lënë në tokën malazeze. Ishte dalluar poashtu edhe Osman Hajdari, të cilin e kishin informuar për ngritjen e Flamurit në Vlorë në vitin 1912. Djem e burra të Malokëve iu kishin bashkangjitur edhe Bajram Currit në Malësi, ku Avdyl Bala ishte më i riu nga ushtarët e Bajram Currit. Poashtu edhe me Isa Boletinin ishin në Shqipëri në mbështetje të tij. Ndër pleq, tregohen rrëfimet e Haxhi Zekës-Malokut, njërit nga ndër përkrahësit e Isa Boletinit, e që kishte qenë shumë i afërt më familjen e Isa Boletinit. Ndërkaq, Rexhë Avdyli-Maloku, topxhiu, ish pjesëtar i Regjimentit “Skënderbeu” në Luftën e Koloshinit, kundër hordhive çetnike ,ishte i njohur si topxhiu më i mirë i regjimentit. Ai godiste me topin e tij caqet çetnike. Është e njohur kur me topin e tij e kishte çuar në ajër kullën e Milentijes bashkë me çetnikët që gjendeshin brenda saj.
Kjo Plloçicë ia pat kthyer pushkën edhe batalionit partizano-çetnik të Rakoshit në nëntor të vitit 1944. Në shenjë hakmarrjeje “Bokelska Brigada” e Kotorrit e dogji me zjarr e hekur Plloçicën dhe vrau e torturoi shumë plloçicianë. Rrjedhimisht, pra, ngjarja më e rëndësishme ishte Lufta e Plloçicës në nëntor të vitit 1944, për nga pjesëmarrja në këtë luftë, karakterin e saj kombëtar e anti serbo-sllav e antikomunist, dha dënimet e pasojat tjera gjatë gjithë regjimit jugosllav, duke u diskriminuar në forma të ndryshme në punësim e shkollim. Kjo luftë nuk kishte ndodhur me ndonjë parapërgatitje të mëhershme, por si revoltë e rezistencë e armatosur kundër ardhjes së Brigadës së Rakoshit në fshat, pa asnjë paralajmërim. Brigada partizane kishte në përbërje serbë e malazezë, po edhe shqiptar. Nuk dihej se kush ishin saktësisht, sepse në brigadat partizane infiltroheshin edhe çetnikë. Pastaj ajo periudhë njihej si “Koha e Shqipnisë”, ku pushtetin lokal e udhëhiqnin shqiptarët, madje atdhetarë e njerëz autoritativ. Në Kijevë kryetar ishte Alush Smajli, një atdhetar e trim i njohur për lirinë e Kosovës, kundërshtarë i përbetuar i sllavokomunistëve partizanë e çetnikë. Alush Smajli i njohur si “Qarrataja”, e kishte ndihmuar Luftën e Plloçicës, madje ai e kishte vazhduar luftën edhe në vitin 1945 kundër forcave partizane çetnike, në malet e Gullbocit e të Plloçicës deri në rënien e tij heroike. Me te ishin e burrat e trimat e njohur të Plloçicës, Hajdar Osmani-Maloku, Miftar Ramoshi-Maloku, Halil Rexhepi, e të tjerë. Plloçica nuk e donte luftën, por ajo u imponua nga aradhat partizane sllavokomuniste e çetnike. Madje ishte bërë një përpjekje për të iu shmangur konfliktit të armatosur. Kishte ardhur për të biseduar me përfaqësuesit e fshatit edhe Shaban Basha, ish luftëtar i Spanjës, i inkuadruar edhe në lëvizjen çlirimtare, por që shikohej nga udhëheqësit partizanë si i dyshimtë dhe nuk i besohej. Ai njihej me Malokët ishte mik e dashamirë i tyre. Nuk ka të dhëna se Shaban Basha ishte pjesë e këtyre formacione ushtarake sllavo komuniste.
Brigada e Rakoshit udhëhiqej nga Ismet Shaqiri e Portiq Radosav (i vrarë në Luftën e Plloçicës). Biseda ishte zhvilluar ndërmjet Shaban Bashës dhe përfaqësuesve të Plloçicës, Mosh Balës-Malokut dhe Hadar Osmanit-Malokut. Këta kishin kërkuar largimin e këtyre aradheve nga fshati. Mirëpo këtë kërkesë Ismet Shaqiri nuk e kishte përfillur, madje me arrogancë ishte përgjigjur “Mu nuk ka mujt mem ndalë gjermani e po me ndalin Malokët e Plloçicës”. Pas kësaj më vonë ndodh përleshja e përgjakshme ndërmjet fshatarëve dhe sllavokomunistëve partizanë. Në këtë luftë nga Plloçica u vranë Tafil Sejdia-Maloku e Zeqir Sejdia-Maloku, eshtrat e të cilëve u rivarrosën në shtator të vitit të vitit 1999, bashkë me 24 martirët e vrarë nga ushtria e policia kriminele serbe në luftën e fundit. Nga plagët e marra vdes Vesel Zeka. Në këtë luftë morën pjesë edhe Hajdar Osmani-Maloku, Xhemë Osmani-Maloku, Halil Rexhepi-Maloku (i plagosur), Hisen Veseli-Maloku, poashtu i plagosur, Zenel Moshi-Maloku, dënuar me burg për këtë luftë, Qazim Rexhepi si dhe fshatarë të tjerë të Plloçicës dhe fshatrave për rreth, Memë Bashota, nga Ceroviku, i plagosur, Bajram Bilalli nga Gullboci , Demush Loshi nga Rixheva, e të tjerë. Nga ana e partizanëve ishin vrarë Portiq Radosav, Millan Pllesha, Adem Bajrami dhe 8 ishin plagosur, sipas librit të Ismet Shaqirit “ Më kujtohet”. Pjesëmarrësit e Luftës së Plloçicës kishin bërë një strukturë organizative, njësitët luftarak vepronin pa ndonjë hierarki komandues. Të gjithë ishin njësoj, të barabartë, vullnetarë për t’i zmbrapsur pushtuesit. Frika tashmë ishte përhapur jo vetëm në Llapushë por edhe gjithandej Kosovës, se po përgatitet edhe një kurth për shqiptarët dhe Kosovën, ndaj edhe emra të njohur e atdhetarë po e kuptonin mashtrimin, ndaj edhe filluan t’i braktisin aradhet partizane në të cilat kishte edhe çetnik të Drazha Mihajlloviqi, që në vend të kokardave çetnike po vendosnin yllin pesëcepësh komunist. Ngjarjet po rrjedhnin me shpejtësi të madhe, në disfavor të Kosovës. Tashmë kishin filluar kritikat vërejtjet për Konferencën e Bujanit, e cila ishte mbajtur prej 31 dhjetorit 1943 deri më 2 janar 1944. Aktet e dhembshme të tragjikes kosovare-shqiptare po ndërronin njëri-tjetrin drejt përfundimit tragjik të luftës (Luftës së dytë botërore). Kullat gërmadhë. Shpirti gërmadhë. Qielli gërmadhë. Pranga.
Në Bujan, siç dihet është miratuar një rezolutë, ku Kosovës i njihet e drejta e vetëvendosjes deri në shkëputje dhe realizimi i dëshirës së popullit shqiptar të Kosovës për bashkim me Shqipërinë.
Udhëheqja jugosllave dhe PKJ kishin dërguar letër për Konferencën e Bujanit, ku kërkonin që të anulohej rezoluta për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Të gjitha këto rrethana të krijuara shkaktuan pakënaqësi e pezëm ndër shqiptarë. Madje njohësit e rrethanave të asaj kohe në Kosovë, po edhe populli i saj po e kuptonin se Kosovës po i përgatiten pushtime e ripushtime të reja. Kosova kishte vuajtur nën pushtimin serb. Faktet e dëshmojnë këtë, atëherë e edhe më vonë për gjenocidin serb të ushtruar ndaj shqiptarëve, ku ishin thurur lloj, lloj planesh e elaboratesh për shfarosjen shqiptarëve. Kjo edhe ka shtuar urrejtjen ndaj të gjitha pushteteve ushtarako-policore. Prej mosbesimit dhe brutalitetit, për të njëjtën arsye për të cilin ishin shtypur, para luftës, e nuk u kursyen as pas mbarimit të Luftës së dytë Botërore. Projekti i Vasa Çubrilloviqit, për shqiptarët i punuar për pushtetin më 1944, në të cilin ishte caktuar fati i njëjtë dhe i ngjashëm në projektin për zgjidhjen e çështjes shqiptare më 1937, e cila pastaj vazhdoi edhe në periudha të tjera, vrasja e shqiptarëve të mobilizuar, në Tivar më 1945, likuidimet e shumë shqiptarëve, vdekjet misterioze, ndalimi i përdorimit të flamurit kombëtar, regjistrimin e shqiptarëve si turq, proceset e montuara në Prizren, aksioni mbledhjes së armëve, maltretimet, terrori i udbashëve deri në rënien Aleksandar Rankoviqit. Kjo politikë ka vazhduar sistematikisht. Ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës që e ndërroi rrjedhën e Historisë. Lufta e Plloçicës shënoi kundërvënien e armatosur kundër sllavo komunistëve partizanë. Fshati, pjesëmarrësit e luftës e pësuan nga regjimi jugosllav. “Toka kurrë nuk do të bëhet parajsë e njerëzimit, kurrë nuk do të bashkohet me Zotin…, por kur e di se cilës anë i përket, jeton më i lirë”. Lufta e Plloçicës tregoi qartë orientimin kombëtar të këtij fshati dhe të krejt asaj ane të Llapushës, ndonëse me djegie të fshatit, vrasje të djemve e të vëllezërve në prehrin e nënës e të motrës, siç ndodhi me Zeqir Sejdinë-Malokun, pastaj me privim të çdo të drejte qytetare të banorëve të këtij fshati, deri në rënien e Rankoviqit. Ishin fyer, ofenduar nënçmuar nga partizanët sllavokomunistë, duke i quajtur bashibozukë, lakej, armiq, reaksionarë e ofendime të tjera. Por e vërteta doli në shesh pas çlirimit të Kosovës dhe pavarësisë së Kosovës. Tradhtarë mbeten ata që vranë, e persekutuan fshatin, ndërsa Lufta e Plloçicës, mori vend të merituar për qëndresën e armatosur kundër partizanëve çetnikë, e bashkëpunëtorëve tjerë, mjerisht edhe disa shqiptarë, që tradhtuan idealet e kombit për liri. Pas tërheqjes së sllavokomunistëve, dhe pasi që kishin mbërri në Berishë, krerët e tyre sllavo-komunistë i bënë analizë humbjes së tyre në Plloçicë. Shprehin keqardhje që nuk kanë vrarë edhe më shumë civilë, madje e vlerësojnë se ishte gabim që nuk i qitën banorët e pa fajshëm para tyre, si mburojë e gjallë, dhe që nuk kanë vrarë pronarin e shtëpisë dhe familjen e tij, që nuk kanë djeg e shkatërruar çdo gjë në fshat. Edhe këtë e kishin bërë. Në Berishë, partizanët sllavokomunistë e prijësit e tyre thoshin se “Batalionit të Rakoshit pas luftës së Plloçicës i ishte shtuar nami e i doli zëri në luftën kundër bashibuzukëve të Alush Smajlit, kryetar i Komunës së Kijevës”. Në Berishë, në konakun e Kajë Novosellës një serb, partizan, me emrin Bozha kishte caktuar mbledhjen e organizatës së Partisë së batalionit. Në këtë takim iu bë një vlerësim e luftës që u zhvillua në Plloçicë. U bënë akuza denigrime për fshatarët, të cilët ua kishin kthyer pushkën partizanoçetnikëve. Nuk kishin ku të shkonin përtej fshatit të tyre. Humbjen partizano çetnikët e justifikonin me pakujdesinë e batalionit, ku u tha: “Nuk siguruam roje, ishim të pakujdesshëm kur u vendosëm në Plloçicë. Duhej zënë pusi rreth fshatit, të mos lejojmë të largohet askush nga fshati pa dijen tonë. Jo vetëm kaq. Kur krisi pushka në fshat, ne disi e humbëm torruan, në vend që t’i kapnim dhe venim përpara të zotët e konakëve ne filluam të tërhiqemi. Më dukët se u treguam më shumë katolikë se partizanë. Përgjigja do të duhej të ishte me zjarr dhe plumb. Sikur t’i pushkatonim ose t’i merrnim dhe t’i vinim përpara të lidhur të zotët e shtëpive dhe t’i digjnim disa shtëpi, puna do të ishte zhvilluar ndryshe” (Ismet Shaqir, Më kujtohet, faqe248). Edhe këto tmerre kishin ndodhur në Plloçicë, siç do të shihet më vonë.
Arritja e Batalionit të partizanëve në Berishë dhe mllefi, vreri e urrejtja e zbrazur ndaj pjesëmarrësve të Luftës së Plloçicës nuk ishte pritur edhe aq mirë nga personalitete e burra të njohur në Drenicë. Plasaritjet e dhe mospajtimet me krerët e partizanëve sllavokomunistë kishin filluar edhe më herët. Por tash kishin rënë maskat mbi karakterin dhe luftën nacionalçlirimtare, se do të jetë luftë për çlirim, barazi e demokraci. Ishin zbuluar fytyrat e vërteta, haptas ndiçeshin e atdhetarët dhe burrat e njohur të Kosovës, që më herët krerët partizano-çetnilë kishin kërkuar mbështetjen e LNÇ-së, përmes demagogjisë dhe përrallave të përsëritura. Banush Sedllari, Tahir Berisha, Rifat Berisha e Brahim Banushi, në bisedat me Ismet Shaqirin e partizanëve sllavokomunist, kishin shprehur mosbesim e dyshim për të ardhmen e Kosovës. Ismet Shaqiri donte të kishte nën kontroll gjithçka, madje edhe për njerëzit që shkonin në kullën e Banush Sedllarit. Ai në “kujtimet” e tij shkruan për takimin me Rifat Berishën e Ibrahim Sedllarin, të cilët në sy i tregojnë për forcën ushtarake e operuese të Mehmet Gradicës. “Kërkova nga ata që personalisht, si oficer që kishin qenë gjatë mbretërimit të Zogollit dhe si vendas që e njohin figuracionin e terrenit të marrin pjesë së bashku me partizanë në përleshje me Mehmet Gradicën dhe lahperët e tij, por edhe kjo shkoi huq”, faqe 251, thotë i zhgënjyer Ismet Shaqiri. Ibrahimi e Rifati në mënyrë të prerë i thonë Ismetit se Tahir Berisha e Banush Sedllari nuk lejojnë që ne të Drenicës të vritemi njëri me tjetrin. Ismet Shaqiri kishte pasur një takim me Banush Sedllarin, kishte kërkuar përkrahjen e tij, si dhe dorëzimin e një grupi oficerësh e ushtarësh shqiptarë që luftonin kundër forcave partizano-çetnike. Ky grup kishte qenë në konakun e Banushit, por që kishte refuzuar kategorikisht dorëzimin e tyre. Shaqiri i kishte thënë, Banushit se në këtë mënyrë bëhet ortak i tyre. Mes tyre ishte biseduar edhe për Luftën e Plloçicës. Banush Sedllari për shumëçka nuk ishte pajtuar me Ismet Shaqirin. Në një moment të shtimit të tensionit i drejtohet me këto fjalë: “-Je i ri , biro. Ende të qet buza tambël. Unë jam ujk i vjetër…”, kishte thënë Banush Sedllari, duke shtuar se për t’gjallë të tij nuk mund ta bëjnë atë që duan, se vetëm kur të vdes mund ta bëjnë. Aty përfundon gjithçka Banushi me të bijtë doli përjashta. Banush Sedllari ishte treguar i vendosur, kombëtar e trim, duke mos u pajtuar me ata që po tradhtonin idealet e lirisë dhe mëvetësisë së Kosovës. Rrugët tashmë ishin ndarë përgjithmonë, ndonëse që në takimet e para kishte pasur shkëndija të mospajtimit për karakterin dhe çasjes së luftës së partizanëve. Atdhetarët, siç ishin Banush Sedllari, Tahir Berisha, Rifat Berisha, Ibrahim Banushi, ishin kategorik për çlirimin definitiv të Kosovës dhe për bashkimin me Shqipërinë, krerët e partizanëve, ishin që Kosova të mbetej nën Serbi e Jugosllavi. Koha, më vonë do t’i dëshmoj të gjitha, burrat e lartcekur kishin të drejtë. Të gjithë këta katërçipërisht vërtetuan se ishin dalë zotet e Kosovës, bashkë më luftërat e bëra për Kosovë e Shqipëri, siç ishte Lufta e Plloçicës-1944, Lufta e Drenicës-!945, duke kulmuar me Luftën sublime të Ushtrisë Çlirimtare-1988/1999. që solli lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur me shekuj.
Çfarë është hegjemonizmi serbomadh e kanë kuptuar të gjithë, e në veçanti shqiptarët në mbretërinë jugosllave, ndaj edhe shqiptarët te Serbia e kanë parë dhe përjetuar shtypësin dhe terrorizuesin. Shqiptarët ishin të privuar nga çdo e drejtë kombëtare. Persekutimet dhe vrasjet, u shtuan që sidomos pas luftës së Plloçicës, në këto anë. Jugosllavia, e dominuar nga serbët po fliste me gjuhën e dhunës, shtypjes e të plumbave, deri në vitin 1966, por mjerisht edhe pas vitit 1981, vitet 90-ta, ndaj edhe ndodhi edhe Lufta më e lavdishme e UÇK-së në historinë e Kosovës dhe çlirimi vendit nga regjimi gjenocidial i Serbisë.
Pas Luftës së Plloçicës dhe vendosjes së partizanëve sllavokomunistë në Berishë në Kosovë ngjarjet zhvillohen në mënyrë dramatike. Ndarja ndodh. Në një anë partizanë e çetnikë në përkrahje të Jugosllavisë e Serbisë për aneksimin e Kosovës dhe vrasjen e ndjekjen e atdhetarëve shqiptarë, dhe në anën tjetër shqiptarët të udhëhequr nga prijësit e kombit po i luftonin hordhitë serbosllave. Në anën tjetër, fillimi vitit 1945 për Plloçicën ishte tmerr, katrahurë e vërtetë. Hakmarrja ishte bërë me të gjitha mjetet e format e dhunës. Në janar të këtij viti, Plloçica ishte në flakë Bokeshka brigada, e tretë serbo malazeze digjte e bastiste fshatra shqiptare. Rrethohet fshati. Shtetrrethim i egër partizano-çetnik. I vunë zjarrin kullës së Hajdar Osmanit, pastaj digjet shtëpia e Halil Rexhepit. Shtëpisë së Mosh Balës ia qitën rrobat jashtë me familje. Shtëpinë ia dogjën edhe Nezë Alisë e Sejdisë. Plaçkitin kudo, morën 150 krerë dele, lopë, dhi e kuaj. Pa ushqim. Ishte acar i madh.
Ndodh pushtimi e ripushtimi i Kosovës. Në vitin 1945 vendoset administrata ushtarake në Kosovë. Ishin vrarë Tahir Berisha, Rifat Berisha, Mehmet Gradica e Shaban Polluzha. Banush Sedllari burgoset dhe dënohet me 20 vjet burg. Në burgun e Nishit vdes nga torturat shtazarake që bënë gardianët me direktiva të UDB-së. Me burg të përjetshëm dënohet edhe i biri i Banushit, Ibrahim Sedllari, por me një amnisti që ishte bërë i ishte ulur dënimi, por kurrë nuk u kthye i gjallë. Banushit dhe birit të tij Ibrahimit, kurrë nuk iu kthyen eshtrat, ndonëse familja nuk ka reshtur së kërkuari. Të gjitha këto personalitete ishin shpallur tradhtar nga regjimi titist i Jugosllavisë. Mirëpo pas çlirimit të Kosovës dhe dëbimit të ushtrisë e policisë serbe nga Kosova, të gjithë këta u shpallën heronj, ashtu siç ishin, ndërsa të gjithë ata që ishin kundër tyre morën atë që meritonin, tradhtinë, dorë e shitur dhe bashkëpunëtorë të sllavokomunistëve. Figurat patriotike të lartcekura ishin gjithmonë të dashur e të respektuar nga populli shqiptar. Sot, sheshe, rrugë e shkolla mbajnë emrat e tyre. Ata janë dekoruar nga institucionet më të larta me dekorata e mirënjohje shtetërore e kombëtare. Edhe Lufta e Plloçicës ishte njohur si ngjarje historike e kombëtare, e të flitet e të shkruhet për personazhet e kësaj lufte. Zenel Moshi, i dënuar me burg për këtë luftë, pas vdekjes, nga ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 8.10.2018, ishte dekoruar me Urdhërin “Hasan Prishtina” me motivacionin për kontributin e dhënë për veprimtari atdhetare.
Pas luftës së dytë botërore, Plloçica e pësoi rëndë. Ndërkaq, filluan ndjekjet dhe arrestimet për pjesëmarrje në Luftën e Plloçicës. UDB-ja po hartonte dosje. U nisën gjykimet e para. Do të hapën arkivat e fshehta, prej sirtarëve të mbyllur, do të nxirren dosjet sekrete me të dhëna të trilluara, deklarata e dërgim letrash në UDB. Do të lajmërohen edhe dëshmitarët e parë për t’i treguar përrallat e tyre, të cilave edhe do të iu mungojë edhe morali për përrallat. Ndjekjet dhe përndjekjet e shqiptarëve po bëheshin gjithnjë e më masive. Fillojnë gjykimet, në të ashtuquajturin Procesi i Prizrenit. Në këto gjykime të montuara nuk do të kursehej as Lufta e Plloçicës. Më 15.07. 1952, arrestohet Zenel Mosh Maloku, akuza, pjesëmarrje në Luftën e Plloçicës dhe vrasjen e partizanit serb Millan Pllesha, në përleshjet e grupeve balliste dhe partizanëve. Është interesante se, edhe pse në këtë luftë kishin marrë pjesë shumë pjesëmarrës, gjykohet vetëm një person. Malokun Gjykata e Rrethit në Prizren e dënon me dënim maksimal, me pesë vjet burg të rëndë, sepse në kohën kryerjes së veprës ai nuk i kishte mbi 18 vjet (dënimi kapital për të mitur është pesë vjet). Ai vuajti dënimin në burgun e Nishit. Nuk kishte pasur as falje e as amnisti për te. Dy herë i ishte refuzuar me arsyetimin se burgu nuk ka ndikuar të ai, pastaj edhe pushteti lokal i Komunës së Kijevës kishte dërguar referencën negative për te. Vendimi i parë i Këshillit Ekzekutiv Federativ, nr. 3610/53, datë 28 tetor 1953, Beograd dhe Vendimi tjetër me të cilin REFUZOHET Falja dhe Amnistia nr. 432/55 – 4043/54, datë 25.II.1955, Beograd. Të dy këto vendime janë të nënshkruara nga Aleksandar Rankoviq, nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv Federativ.
Për shumë vite Lufta e Plloçicës e vitit 1944 kishte pasur pasoja për banorët e këtij fshati, pa të drejtë shkollimi në nivelet e mesme e të larta, pa të drejtë punësimi, e të drejta të tjera themelore të njeriut. Deri aty kishte shkuar çmenduria e sistemit totalitar e shtypës jugosllav, ku nuk lejonte që as këshilli i katundit të zgjidhej nga Plloçica. Kështu në ato vite, pushteti këshill katundi e kishte caktuar rojtarin e fushës Zenë Arllatin, por që kishte qëlluar një burrë i mirë dhe i ndershëm. Ndërkaq shembull eklatant është privimi nga e drejta e shkollimit. Skënder Maloku, që tash është afër të nëntëdhjetave, për të vazhduar shkollimin e mesëm është dashur ta ndërroj mbiemrin nga Maloku në Gashi, që Malokët edhe janë të fisit Gashi. Skënderi kishte kryer shkollën e mesme ekonomike në Ferizaj. Skënderin edhe në luftën e fundit e kishte shpëtuar mbiemri. Në masakrën e Gullbocit të vitit 1998 e vrasje të tjera në vitin 1999, që ishin vrarë 24 banorë të Plloçicës, edhe Skënderi ishte në grupin e tyre për t’u ekzekutuar, por mbiemri e ka shpëtuare njësitet serbe të ekzekutimit e kanë nxjerrë nga bashkëfshatarët, në saje të mbiemrit, ndaj dhe sot është gjallë. Diskriminimi ka ndodhur deri në rënien e Rankoviqit. Pas kësaj periudhe shumë të rinj vazhduan shkollimin. Gjenerata e parë që marrin bursa nga shteti për shkollën e mesme-normalen, janë Bali Maloku, Xhafer Maloku e Shaban Maloku. Nga atëherë vazhdon vrullshëm shkollimi e emancipimi. Sot ka kuadro te të gjitha profileve, mësues, profesorë, ekonomistë, juristë, ligjërues në fakultete, gazetarë, mjekë, specialistë, shkrimtarë, ambasador punëtor në shërbimet konsullore e të tjerë.
Lufta e Plloçicës e vitit 1944, mbetet ndër ngjarjet më të rëndësishme, e cila ishte lënë në harresë. Kosova ishte një “terra inkognita”, që qëllimisht ishte lënë nga të gjithë pushtuesit, të vjetër e të rinj. Harresa, shlyerja e kujtesës historike doemos ishte krimi më i madh që i ishte bërë Kosovës. Dhe pikërisht gjakimi për liri është ndër atutë më të forta, përkundër tendencës për t’i lënë në pluhurin e harresës, siç ishin shumë ngjarje e luftëra, e në këtë kuadër edhe Lufta e Plloçicës. Por në Kosovë është vendosur përfundimisht një raport dhe realitet i ri, tashmë i një përmase historike dhe i një cilësie të re politike e juridike.