Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike e Katarit kanë nënshkruar një Marreveshje të Bashkëpunimit në Doha të Katarit, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe të investimeve midis dy vendeve.
Marrëveshja u nënshkrua nga Lulzim Rafuna, Kryetar i OEK-t, dhe Rashid Hamad Al-Athbah, Nënkryetar i parë i Odës Ekonomike të Katarit dhe njëri nga biznismenët më me ndikim në Katar.
Katari ka ofruar mbështetje të jashtëzakonshme për Kosovën gjatë kohëve të vështira pas luftës, andaj kjo marrëveshje simbolizon fillimin e një faze të re të bashkëpunimit, duke vënë theksin tek zhvillimi ekonomik dhe prosperiteti i përbashkët në mes te dy vendeve.
”Gatishmëria dhe interesimi i palës Katariane për bashkëpunim me Kosovën është shumë i lartë. Andaj, është me shumë rëndësi që Kosova të paraqesë ide të mira dhe konkrete investive për bizneset nga Katari”, u shpreh Kryetari Rafuna, duke theksuar rëndësinë e këtij partneriteti për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e marrëdhënieve tregtare midis dy vendeve.
Ky bashkëpunim strategjik përfaqëson një mundësi unike për Kosovën për të tërhequr investime cilësore dhe për të krijuar platforma bashkëpunimi që do të sjellin përfitime të ndërsjella dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Kjo marrëveshje është rezultat i ndërmjetësimit dhe përkushtimit të Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Katar, Fuad Morina. Kontributi i tij ka qenë vendimtar në ndërtimin e kësaj ure bashkëpunimi, duke sjellë mundësi konkrete për bizneset kosovare dhe katariane që të krijojnë një partneritet të qëndrueshëm dhe produktiv.