Osmani: Luajtja bixhoz me aleancat cenon mbrojtjen e Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se vënia në rrezik dhe luajtja bixhoz me aleancat e cenon mbrojtjen e Republikës së Kosovës, derisa ka kërkuar punë e angazhim për të ruajtur bashkëpunimin me ta.

Në adresimin vjetor në Kuvend të enjten, Osmani u shpreh se nuk i ka kuptuar talljet që bëhen në llogari të aleatëve e as përmendjen e emrave të tyre për të fituar pushtet. Sipas saj, aleanca me ata që ndihmuan të bëhet shteti i Kosovës nuk është as nënshtrim e as shantazhim.

“Asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm dhe asnjë shtet nuk ka sukses në izolim. Rëndësia dhe forcimi i aleancave është i paçmueshëm. Dobësimi i aleancave është gabimi strategjik. Aleanca me ata që na ndihmuan ta kemi shtetin nuk është nënshtrim e as shantazhim. Besoj që forca më e madhe e jonë qëndron te partneritetet. Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik dhe luajtja bixhoz me to e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë. Nuk i kam kuptuar as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, as keqpërdorimet e emrave të tyre për të fituar pushtet… as njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës. Duhet shumë punë dhe angazhim për të ruajtur aleancat me partnerët”, ka thënë ajo.

Në adresim, Osmani ka thënë se bashkëdyzimi i binomit Ibrahim Rugova – Adem Jashari ka bërë që themelet e shtetit të Kosovës të jenë shumë të forta.

“Populli ynë ka humbur edhe më të shtrenjtën, duke përfshirë edhe fëmijët në djep, në mënyrë që sot të frymojmë lirinë. Bashkëdyzimi i vizionit të binomit Ibrahim Rugova – Adem Jashari, nëpërmjet luftës çlirimtare të UÇK-së, në njërën anë dhe ndërtimit të shtetit duke fuqizuar aleancat nga ana tjetër, bëri që themelet e shtetit tonë të jenë të forta, shumë të forta, aq të forta sa që nuk ka forcë dhe nuk ka sfidë që mund t’i rrënojë ato”, ka theksuar Osmani.

Presidentja ka bërë thirrje për besnikëri ndaj vlerave kushtetuese të vendit.

“Nuk do të thotë se nuk do të ketë goditje ndaj shtyllave të shtetit, por duhet të qëndrojmë të bashkuar për ta mbrojtur Kushtetutën – e cila mbetet më e moderuar. Patriotizmi kushtetues na duhet më së shumti. Në kohë të trazuara për botën, besnikëria ndaj parimeve të Kushtetutës është ajo që duhet të na bashkojë. Sot, siguria është parakusht qenësor për mirëqenie të shtuar, zhvillim ekonomik dhe dinjitet.  Ajo që dëshmon pjekurinë tonë është të sigurohemi që politikat pasqyrojnë atë që është e drejtë, e duhur dhe jo atë që është politike, që është në interes afatgjatë, dhe jo në interes të një palë zgjedhjeve. Vizioni largpamës është ajo që i ka dalluar liderët e fortë”, ka deklaruar Osmani.

Tutje, Osmani ka lavdëruar punën që ka bërë si presidente prej kur mori mandatin.

“Kam punuar në thellimin e aleancave dhe partneriteteve të afërta dhe të largëta, jam angazhuar që Kosova të jetë shembulli pozitiv kur demokracitë qëndrojnë të bashkuar. Kam punuar në forcimin e shtetësisë tonë, paqes dhe stabilitetit dhe për ta forcuar pozitën e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Për herë të parë jemi ftuar në samite dhe organizata ku Kosova nuk është fare anëtare, siç ishte samiti i NATO-s dhe organizime të tjera ndërkombëtare ku u dëshmua se madhësia e një shteti nuk definohet nga territori dhe populli, por nga rrëfimi, shembulli që japim dhe vlerat që mbrojmë. Politika jonë e jashtme proaktive ka adresuar interpretimin dhe veprimet dashakeqëse të Serbisë në atë se çfarë përfaqëson dhe çka është në të vërtetë Kosova. Kosova e lirë, sovrane dhe demokrative është realitet i pakthyeshëm”, ka thënë ajo.

Osmani beson se asnjë president që kur u shpall Pavarësia nuk i ka pasur dyert më të hapura në botë sesa ajo.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, avancimi për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO – duhet të jenë suksese në vitin 2025 për Kosovën, sipas Osmanit.