Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se do ta hedhë në diskutim mbylljen e plotë të rrjeteve sociale TikTok dhe Snapchat.
Të hënën një 14-vjeçar u vra me thikë nga një bashkëmoshatar në një shkollë në Tiranë. Për pasojë, pjesën më të madhe të fajit opinioni e ka drejtuar kah rrjetet sociale që po konsiderohen si “burim dhune”.
Pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, Rama ka thënë se janë në dilemë nëse duhen vendosur filtra apo të mbyllen plotësisht rrjetet sociale si TikTok dhe Snapchat. Filtrat, sipas Ramës, nuk kanë pasur efektivitet në shtetet e tjera.
“Çdo prind është dëshmitar i faktit që presioni i tërheqjes nga ekranet e telefonave bëhet i përballueshëm, jemi angazhuar në hulumtimin e kësaj problematike duke ndjekur se çfarë bëjnë vendet e tjera për ta ulur këtë presion gjithnjë e më të frikshëm, janë ndërmarrë iniciativa të ngjashme që nga Australia, ku po ndalohet përdorimi i telefonave për fëmijët, deri te Franca që po bën vendosjen si kusht për hapjen e llogarive të fëmijëve nën 15 vjeç. Dilema jonë si qeveri është nëse duhet të ecim edhe ne në drejtim të vendosjes së filtrave kur në të gjitha eksperiencat e deritanishme mësojmë se efektiviteti i tyre është i ulët ndërkohë që stimujt e dhunës në botën online vetëm rriten, apo të ndërmarrin masë drastike për mbylljen e plotë të TikTok dhe Snapchat në Shqipëri”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, transmeton TCH.
Rama u shpreh se çështja e mbylljes së këtyre rrjeteve sociale do të diskutohet në të gjitha komunitetet e prindërve, “ku do të angazhohen të gjitha shkollat, nën drejtimin e Ministrisë së Arsimit, për të marrë një vendim sa më demokratik për një problem kaq të madh, por kompleks në përmbajtjen dhe zgjidhjen e vetë”.