Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror për të mërkurën pasdite ka paralajmëruar rënien e presionit atmosferik, ku si rrjedhojë do të mbajë mot i ndryshueshëm që do të përcillet me erëra të fuqishme jugore.
ASHNA ka njoftuar se rrebeshet e shiu me kthimin e erës në drejtimin verior do të kthehen në reshje bore në orët e para të së enjtes.
“Të mërkurën pasdite me rënien e presionit atmosferik, moti i ndryshueshëm do të përcillet me erëra të fuqishme jugore, rrebeshe shiu të cilat me kthimin e erës në drejtimin verior do të kthehen në reshje bore orët e para të së enjtes”, thuhej në njoftimin e ASHNA-s.
Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror thekson se temperaturat maksimale do të jenë deri në 14°C, përshkuar me mjegulla të dendura në viset e rrafshëta orëve të para të ditës dhe minimalet prej 0°C – 4°C.
Ndërkaq, për të premten është parashikuar të ketë reshje shiu të cilat vende-vende do të jenë të intensitetit të shtuar dhe erëra të furishme jugore nga 15 – 25m/s, të cilat mund të vështirësojnë veprimtaritë normale të qytetarëve.
Orët e pasdites pritet që drejtimi i erës të ndërrojë kahje veriore, me ç’rast reshjet e shiut do të shndërrohen në të borës, e cila mund të krijoj shtresa edhe në nivelet e ulëta urbane.
“Ditët e vikendit dhe fillimi i javës së ardhshme me acar tipik dimëror dhe temperatura të ulëta nën mesataret e periudhës”, thuhet në njoftim.