Shiten të gjitha biletat për ndeshjen Rumani–Kosova, numër i pabesueshëm spektatorësh në ‘Arenën Kombëtare’

Kombëtarja e Kosovës do të luajë sonte (e premte) në udhëtim te Rumania, në një stadium që pritet të jetë i stërmbushur me tifozë,  pasi thuhet se janë shitur të gjitha biletat e parapara.

Rumani – Kosovë është ndeshja e së premtes mbrëma në Ligën e Kombeve me interes maksimal për të dy vendet.

Sipas mediave rumune, “Trikolorët” vendas do të mbështeten nga një numër shumë i madh tifozësh, të cilët duan një tjetër rezultat të madh.

Sipas Fanatik, një sukses të premten mbrëma me Kosovën i garanton Rumanisë pozitën e parë në grup pavarësisht rezultateve të fazës së fundit.

“Trikolorët” kanë pasur një rekord të shkëlqyer deri më tani dhe kërkohet një fitore tjetër ndaj kosovarëve, sidomos nga tifozët.

Në emisionin Fanatik Superliga, emisioni më i nxehtë sportiv në Rumani, moderatori Cristi Coste ofroi një informacion të minutës së fundit direkt nga Federata Rumune e Futbollit.

Foto nga ndeshja e parë në Rumani, ku tifozët vendas shfaqen pankartën kundër Kosovës

Më saktësisht, sipas tij, ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës që do të luhet në ‘Arenën Kombëtare’ do të jetë e stërmbushur.

“Kam informacion nga Federata. Fakti që kombëtarja duket kaq mirë shihet edhe në interesin e tifozëve. Sonte do të ketë 49984 shikues në stadium, maksimumin e mundshëm!”, ka thënë Cristi Coste.