Ledri: Askush nuk e ka ditur, por unë dhe Sara jemi ndarë në pandemi, një ditë më pas më dërgoi ekon – pyetja e parë ishte se a do ta mbajmë fëmijën?

Këngëtari i njohur Ledri Vula ishte i ftuari special në premierën e emisionit të ri të Arbana Osmanit, ku ndau momente të veçanta nga jeta e tij personale dhe familjare.

Në një bisedë të sinqertë, ai tregoi për historinë e paplanifikuar të shtatzënisë së partneres së tij, Sara Hoxha, dhe për emocionet e jashtëzakonshme që solli ardhja në jetë e vajzës së tyre, Poem Blu.

Arbana e pyeti Ledrin nëse ardhja e vajzës ishte e planifikuar, duke i dhënë rastin të kujtojë një moment të rëndësishëm të jetës së tij. Ai tregoi se lajmi për shtatzëninë e Sarës kishte ardhur në një periudhë të ndërlikuar për marrëdhënien e tyre.

“E donim, por erdhi pa paralajmërim! Ishim ndarë një ditë para se Sara të më tregonte ekon. Kur më njoftoi, po darkoja me miq dhe kisha pirë pak – mendova se ishte ëndërr. Pyetja ime e parë ishte: A do ta mbajmë? Ajo ishte shumë e lumtur,” – rrëfeu Ledri, duke përshkruar momentin kur kuptoi që do të bëhej baba.

Në studio, emocionet ishin të dukshme teksa Ledri kujtoi momentin e parë kur mbajti në krahë Poem Blu. “Lot gëzimi! Nuk më ndaleshin lotët dhe nuk doja t’i ndalja, ishte momenti më i lumtur i jetës sime” – tha ai, duke prekur zemrat e publikut me sinqeritetin e tij.

Reperi ndau gjithashtu momente nga përditshmëria e vajzës së tyre, duke treguar se Poem është përshtatur shkëlqyeshëm me jetën mes Tiranës dhe Prishtinës. Ajo ndjek një kopsht që ndodhet në të dyja qytetet, duke krijuar shoqëri dhe kujtime në të dyja vendet.