Të hënën në Ferizaj janë therur katër persona me thikë nga një burrë i moshës 59-vjeçare, E.S.
Policia ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci” në rrethana ende të paqarta.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar ngjarjen dhe veprimet e ndërmarra për kapjen e të dyshuarit.
Personat që janë therur janë dy femra nën moshën 18 vjeç dhe dy meshkuj të moshave 29-32 vjeç.
Të lënduarit janë dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente të Ferizajt, ku më pas dy prej tyre janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ndërsa dy të tjerë po trajtohen ende në Ferizaj.
“Ekipe të shumta të policisë, përfshirë Njësinë e Reagimit të Shpejtë, kanë nisur kërkimin e personit të dyshuar. Pas një pune intensive të kërkimit, rreth orës 16:40 arritën që në rrugën ‘Riza Matoshi,’ në afërsi të qendrës tregtare ‘Plus Market,’ të arrestojnë të dyshuarin E.S., rreth 59 vjeçar”, deklaroi Veseli.
Ai shtoi se i dyshuari është shoqëruar në Stacionin e Policisë në Ferizaj nën masa të sigurisë.
Veseli gjithashtu konfirmoi se hetuesit dhe krimteknikët rajonal janë duke analizuar vendet e incidentit dhe kanë gjetur një mjet të mprehtë, që besohet të jetë përdorur gjatë sulmit.
E drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla më vonë njoftoi se vajzë 10-vjeçare e cila ishte viktimë e një therjeje të katërfishtë në Ferizaj ndodhet në gjendje stabile, ndërkohë që një nga pacientët e tjerë të transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) mund të ketë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.
“Fëmija 10-vjeçare është në gjendje më të rëndë. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme në Qendrën Emergjente, ndërkaq më vonë është futur në sallën e operacionit. Gjatë kohës së intervenimit dhe gati para përfundimit, gjendja është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë”, kishte deklaruar Syla.
Ai gjithashtu dha detaje për dy viktimat e tjera të shtrira në QKUK.
“Për dy rastet e tjera kanë qenë në gjendje stabile”.
E ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, shprehu mirënjohje për stafin e QKUK-së për intervenimin e shpejtë.
“Falë reagimit të shpejtë nga Klinika Emergjente, dëgjova lajmin e mirë se gjendja e vajzës 10-vjeçare është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Gjendja e personave të tjerë është kryesisht stabile, përveç personit i cili pavarësisht që është në ri-animin këtu, mund të ndodh që të ketë nevojë edhe për një intervenim kirurgjik”, u shpreh Vitia.