Ndërkohë që sëmundjet neurodegjenerative si demenca, Parkinsoni e Alzheimeri, janë bërë shqetësim për njerëzit, studiuesit kanë gjetur se konsumimi i një grushti të mbushur me arrore për çdo ditë, ul për 12 për qind rrezikun nga demenca.
Studimi që u publikua në gazetën GeroScience ka analizuar rolin që ka konsumimi i shpeshtë i arroreve dhe se a kanë mundësi ato të ulin rrezikun nga demenca.
Shkencëtarët gjetën se të moshuarit që konsumonin rregullisht arrore patën 12 për qind më pak gjasë të ju zhvillohej sëmundja e demencës.
Hindustan Times ka shkruar se kjo sëmundje neurodegjenrative është shumë e shpeshtë tek të moshuarit dhe pengon aktivitet e përditshme duke pamundësuar komunikimin e mirëfilltë dhe aftësitë njohëse.
Studiuesit kanë seleksionuar 50.386 pacientë, nga mosha 40 deri në 70 vjeçe, duke analizuar sasinë e arroreve që konsumonin, zakonet e përditshmërisë që kanë, statusin e shëndetit dhe diagnostikimin me demencë.
Më pas, pjesëmarrësit janë ndarë në kategori të ndryshme bazuar në sasinë e arroreve që konsumonin.
Studiuesit gjetën se pjesëmarrësit që konsumonin arrore patën 12 për qind më pak gjasë të zhvillonin sëmundjen e demencës, gjë që u vu re tek grupi që konsumonin arrore çdo ditë në sasi të moderuar.
Për më shumë, arroret e pakripura, si arrat indiane dhe bademet dolën të jenë më të shëndetshme.
Sidoqoftë, konsumimi i arroreve në përgjithësi, nuk ishte fakti i vetëm që ndikoi, pasi edhe stili i të jetuarit pati rol të rëndësishëm.
Konsumimi i arroreve ishte më i efektshëm tek ata individë që nuk konsumonin duhan e që kishin stil jetese të shëndetshëm, ku përfshiheshin ushtrimet fizike dhe gjumi i rregullt.
Kujtesa gjithashtu ka rëndësi të madhe dhe mënyra e të ushqyerit luan rol të rëndësishëm në këtë çështje duke e bërë të mundur parandalimin e demencës.
Është raportuar se dieta mediterane ka mundësi të ulë rrezikun nga kjo sëmundje. Arroret, të cilat janë të pasura me shumë vlera ushqyese, janë pjesë e kësaj diete dhe mund të ndihmojnë për shëndet më të mirë të trurit.