Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, në emisionin “DPT TE FIDANI” tregoi atë që sipas tij ndodhi me rastin e një votimi në parlament.
Sipas Pacollit, Vjosa Osmani atëherë kryetare e Kuvendit, e kishte telefonuar natën vonë, pas orës 00:00 duke i kërkuar që të takoheshin në zyre të saj, e ku me të ishte edhe kryeministri Albin Kurti.
Pasi Pacolli kishte shkuar aty së bashku me njërin prej këshilltarëve të tij, thotë se Osmani dhe Kurti e ishin lutur që t’i ndihmonte për t’i siguruar numrat që të nesërmen të votonin pro tyre në parlament.
“I pyes se a jeni dakord ta thërras Radoiçiqin? Ata të dytë më kanë thënë ‘po sepse gjithsesi na duhen votat’. Unë e thërras Radoiçiqin, i them se si është puna. Ai më tha ‘nuk mund të të garantoj vota kurrsesi sepse ata kanë me të mashtru edhe ty ashtu si na kanë mashtruar edhe neve’. I thash kësaj radhe bëjë për mua, por më tha se do ta mendonte”.
“Duke shkuar unë në shtëpi, radoiçiqi më telefonoi dhe më tha se ‘më erdh keq ty mos me të dal në fjalë’, më pyeti ‘në ora sa duhet të jemi aty’. Unë i tregova që në ora 15:00. Më tha që ‘ata do të vijnë të lajmërohen te ti dhe në ora 14:50 do të jenë aty’. Të nesërmen ata kanë ardhur”.
“Unë e kam thirr presidenten dhe i kam thënë që nesër në ora 15:00 janë edhe dy deputetë aty, dhe ajo e gëzuar më falënderoi shumë. Kemi shkuar të nesërmen dhe ajo ka ardhur edhe njëherë te vendi im, ku kam qenë ulur, më ka pyetur se ‘a është çdo gjë në rregull president Pacolli, a janë deputetët këtu’, i kam thënë po këtu janë, dhe ka ndodhur votimi”.