INDEP: Koeficientët të harmonizohen me pagën minimale, jo me lojërat e partive për pushtet

Paralajmërimin për rritje pagash nga janari në sektorin publik, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) e ka parë si qëllim elektoral i partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje. Në një reagim të këtij instituti të mërkurën, thuhet se pos paralajmërimit të Qeverisë për rritjen e koeficienteve të pagave në sektorin publik, edhe reagimet e ngjashme nga opozita janë shembull të “kësaj prirjeje shqetësuese, veçanërisht në kohën kur vendi po i afrohet zgjedhjeve të reja”.

Të martën, kryeministri Albin Kurti njoftoi se nga 1 janari pagat në sektorin publik do të rriten për 55 euro apo 0.5 pikë të koeficientit. E njëjta rritje do të pasojë edhe në muajin korrik, sipas Kurtit. Vlera e një koeficientit do të mbetet e njëjtë – 110 euro. E pas njoftimit të Kurtit, nga opozita dolën premtime për rritje të mëtejme.

“Në kohën e diskutimit dhe miratimit të Ligjit për Pagat, INDEP kishte argumentuar se koeficientet duhet të ndërlidhen drejtpërdrejt me vlerën e pagës minimale. Ky model jo vetëm që do të ofronte transparencë dhe një bazë të qëndrueshme, por edhe do të siguronte një lidhje të domosdoshme mes sektorit publik dhe atij privat. Procesi për përcaktimin e pagës minimale, i cili është rezultat i propozimit nga Këshilli Ekonomiko-Social – organ ku përfaqësohen partnerët socialë, përfshirë përfaqësuesit e sektorit privat (odat ekonomike, sindikatat dhe Qeveria) – është gjithpërfshirës dhe reflekton një qasje të balancuar që garanton respektim të interesave të të gjitha palëve”, thuhet në reagim të këtij instituti.

INDEP-i ka vlerësuar se rritja e njëanshme e pagave në sektorin publik pa një ndërlidhje direkte me sektorin privat shkakton jo vetëm ndasi ekonomike, por ndikon në të gjithë ekuilibrin ekonomik të vendit. 

“Këto ndryshime duhet të jenë rezultat i rritjes ekonomike të përgjithshme dhe të vendimmarrjes së përbashkët sociale, e jo premtimeve a vendimeve në prag të zgjedhjeve. Praktikat e përsëritura të partive politike për të manipuluar me pagat publike gjatë cikleve zgjedhore janë precedent i dëmshëm që minon integritetin e politikave publike dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. INDEP apelon që rritjet e koeficientëve të pagave të jenë produkt i një metodologjie të qartë, transparente dhe të parashikueshme, të mbështetur në indikatorë ekonomikë të mirëfilltë dhe në një qasje të konsultuar me të gjitha palët”, thuhet më tej në reagim.

Sipas INDEP-it, manovrat politike për përfitime elektorale e largojnë fokusin nga politikat afatgjata dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

“Rritja e inflacionit dhe përkeqësimi i kushteve të jetesës për qytetarët kërkon një qasje të përbashkët, ku interesi publik dhe mirëqenia ekonomike e të gjithë qytetarëve janë mbi interesat partiake. Për një sistem pagash më të drejtë dhe të qëndrueshëm, INDEP edhe njëherë bënë thirrje për harmonizimin e koeficientëve me pagën minimale dhe për një politikë që bazohet në ligjvënie gjithëpërfshirëse, larg premtimeve të brishta dhe politizimit elektoral”, thuhet në reagim.