Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, e ka quajtur ‘ironike’ rritjen e pagës në vlerë 55 euro për punëtorët e sektorit publik, sidomos për mësimdhënësit, e cila u kumtua nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti se do të ndodhë në janar 2025.
Kryetari i SBASHK-ut përveç që shprehu pakënaqësi për rritjen e pagës së punëtorëve në sektorin publik që u premtua nga kryeministri Kurti, ai u ankua se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nuk i ka takuar nga viti 2022.
Sipas Jasharajt, mungon dialogu në tërësi mes Ministrisë së Arsimit dhe SBASHK-ut.
E për shkak se ekziston kjo mungesë e dialogut mes SBASHK e Ministrisë së Arsimit, sipas Jasharajt, nga java e kaluar i kanë pyetur mësimdhënësit nga të gjitha komunat e Kosovës që ta nënshkruajnë një dokument për të marrë veprime sindikale në rast se nuk ka rritje të pagës së mësimdhënësve për 30% dhe nëse nuk nënshkruhet kontrata kolektive.
Ndonëse nuk dihet se çfarë veprime sindikale do të ndërmerren nga SBASHK-u, kryetari Jasharaj ka paralajmëruar se fillimisht mund të ketë një protestë masive dhe nëse ajo s’ka ndikim në plotësimin e dy kërkesave të tyre, mund të mbahen greva.
“Nëse edhe ajo [protesta] nuk jep ndonjë rezultat, mund të kemi veprime të përshkallëzuara sindikale siç e thotë edhe Ligji për grevat – greva njëorëshe, dyorëshe e kështu me radhë”, ka deklaruar Jasharaj.
Me këtë rast, deri më 11.11.2024 do t’i presin nënshkrimeve nga mësimdhënësit e të gjitha komunave në Kosovë, pastaj do ta kuptojnë se cili është qëndrimi i mësimdhënësve për të marrë apo jo veprime sindikale.
Portali e ka kontaktuar edhe kryetarin e SBASHK në komunën e Vitisë, Kemajl Bislimi, i cili e ka konfirmuar se ka nënshkrime nga mësimdhënësit e shkollave në Viti, por nuk dihet se sa e kanë nënshkruar deri më tani. Në Viti janë 775 mësimdhënës, sipas Bislimit.
“Është e vërtetë se [SBASHK] ka kërkuar nënshkrimet e arsimtarëve për një dialog social i cili nuk po zhvillohet mes SBASHK-ut dhe Qeverisë [së Kosovës] e me marrë mendimin e arsimtarëve në terren se a janë për veprime sindikale” , është përgjigjur Bislimi.
Sa i përket deklarimit të kryeministrit Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, më 29.10.2024, se do të rriten pagat për punëtorët e sektorit publik në muajin janar 2025 për 55 euro dhe në muajin korrik 2025 për 55 euro të tjera, Jasharaj mendon se është dashur t’ua kumtojnë këtë plan kryetarëve të sindikatave para se të dalin në media.
Si rrjedhojë, Jasharaj e ka vlerësuar rritjen e pagës prej 55 euro për punëtorët e sektorit publik ‘zhgënjyese’, pasi ata kishin kërkuar vlerë tjetër të rritjes së pagës.
“Komunikimin e parë që e kemi me kryetarët [e SBASHK] në terren, kjo rritje tek për janar [2025] është tepër zhgënjyese, kemi pritur shumë ma tepër. Kërkesa jonë ka qenë që nga tetori [2024] së paku të kemi një ngritje të vlerës së koeficientit për 30%, nuk është përfillë” , ka thënë Jasharaj.
Jasharaj madje i ka bërë thirrje Kurtit që të mos flasë për rritje pagash në muajin korrik 2025, pasi do të mbahen zgjedhjet nacionale në muajin shkurt 2025.
“Kjo 55 euro është ironike, është nënçmuese dhe është e papranueshme për SBASHKU-n. Kurti dhe të tjerët nuk është mirë të flasin për korrikun, sepse zgjedhjet janë në shkurt [2025] dhe Kurti nuk mund të garantojë për ndonjë rritje në korrik, sepse nuk i dihet situatës çfarë do të sjellë shkurti”, ka shtuar ai.
Tutje, ai pyet se pse kryeministri Kurti e ministri Murati nuk do ta ekzekutojnë rritjen e premtuar të pagave për punëtorët e sektorit publik nga muaji tetor 2024.
“Edhe kjo i ngjan atij premtimit, një premtim i keq, i vogël, i padëshiruar dhe i papranuar se tek në janar [2025]. Pse zoti Murati dhe zoti Kurti nuk vendosën tani të thonë – nga tetori bëhet një lëvizje e pagës. Ne kemi kërkuar 30% që përkthyer në para, tash është 110, 30% do t’i binte – 35 euro më shumë vlera e koeficientit që do t’i binte 145 euro vlera e një koeficienti”, tha Jasharaj.
Edhe pse thotë se nuk i ka takuar ministrja Nagavci nga viti 2022, ai tregoi se janë pritur dy herë në takim nga zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi.
“Kemi pasur dy takime me zëvendësministrin [e Arsimit] Taulant Kelmendi. Zëvendësministri nuk i ka kompetencat t’u thotë po ose jo kërkesave tona dhe ne e kemi lutur përcjellja këto kërkesa zonjës Nagavci dhe angazho që të kemi takim. Ne nuk po kërkojmë takim me zonjën Nagavci për të pirë kafe e për t’u fotografuar, por është njeriu i parë i MASHTI-t dhe e ka obligim ligjor që së paku kërkesat tona t’i dëgjojë dhe t’i përcjellë në Qeveri”, ka thënë Jasharaj.
Portali e ka pyetur Ministrinë e Arsimit më 29.10.2024 për pretendimet e Jasharajt se nuk po i takon ministrja Nagavci dhe për veprimet sindikale që mund t’i marrin, por nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Kurse, më 02.10.2024, kur SBASHK e dorëzoi draftin final të kontratës kolektive në Ministri të Arsimit.
Nga Ministria thanë se ministrja edhe zëvendësministri Kelmendi i kanë takuar disa herë përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe kanë qenë vazhdimisht të hapur për takime.
“Unë po uroj si kryetar i SBASHK-ut, nga shpirti dhe në emër të të gjithë anëtarësisë kurrë mos i ndodhtë Kosovës shtatori i vitit 2022, sepse i kishim çerdhet e mbyllura, tërë sistemin arsimor të mbyllur”, ka përfunduar Jasharaj. /Kallxo.com/