Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka folur për Periskopin pas vendimit të Qeverisë Kurti për rritje të pagave në sektorin publik, dy herë nga 55 euro përgjatë vitit 2025.
Bajrami thotë se Qeveria Kurti ka shkelur Ligjin për Pagat pasi siç thotë ajo rritja mund të bëhet vetëm me plotësim-ndryshimin e këtij ligji.
Ajo shton se rritja prej 55 eurove është tallje për shërbyesit civil.
‘’E para rritja e pagave 55 euro është tallje me çdo shërbyes civil sepse shporta bazë e konsumit ka pësu rritje të çmimeve mbi 50% gjatë këtij mandati. E dyta, çdo rritje e pagave, pensioneve dhe çdo përdorim i parasë publike në kohë fushate është skemë e korrupsionit publik sepse bëhet vetëm për të ble mbështetje elektorale dhe e treta, rritja e pagave për 1/2 e koeficientit mundet me u bë vetëm me plotësim-ndryshimin e Ligjit e Pagave, sepse nuk ka mundësi me ndryshu tabela e koeficientëve që është shtojcë e Ligjit të Pagave me Ligj të Buxhetit, me Ligj të Buxhetit ka mundësi me ndryshu vetëm vlera e koeficientit, dmth. rritja e propozuar sot është joligjore’’.
Ish-ministrja e Ministrisë së Financave thotë se rritja e pagave do të duhej të bëhej para një apo dy vjetëve, dhe jo në kohë fushate.
‘’Rritja e pagave do të duhej të bëhej para 1 apo 2 viteve. Prandaj, në javën e parë, pas 9 shkurtit, me Kryeministër Lumir Abdixhiku, koeficienti do të rritet në 150 euro’’, përfundoi deputetja Hykmete Bajrami.