Detajet nga arrestimi i Ilir Metës, akuzat kundër tij

Ilir Meta, ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe kryetari aktual i Partisë së Lirisë, është arrestuar në bazë të një urdhër-arresti nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Arrestimi u ekzekutua nga Policia e Shtetit dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit pranë hyrjes së kryeqytetit, në aksin Durrës-Tiranë.

Arrestimi i Metës ndodhi në hyrje të kryeqytetit pranë kthesës së Kamzës. Meta u ndal nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit bashkëpunuar me Policinë e Shtetit teksa lëvizte me makinë.

Meta ka qenë nën hetim për disa muaj, me akuzat që lidhen me një kontratë lobimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pastrimin e dyshuar të parave. Dyshimet përfshijnë edhe kallëzime për shpenzime të paligjshme, përfshirë ndërhyrjet estetike jashtë vendit nga anëtarë të familjes së tij.