Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë shkelur Kushtetutën duke bojkotuar tre seancat e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita.
Deputetët e pushtetit bojkotuan seancën për komunikimet e Mimoza Kusari-Lilës me kryeterroristin Milan Radoiçiq, për mungesën e ushqimin në Forcën e Sigurisë (FSK) dhe për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit dhe mënyrën e shlyerjes së këtyre borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Përkundër interesit publik për debat parlamentar për çështjet e lartpërmendura, IKD-ja ka thënë se shumica parlamentare, e përfaqësuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka refuzuar të marrë pjesë në seancat e jashtëzakonshme, pa asnjë arsyetim legjitim dhe të besueshëm. Ky bojkot, sipas tyre, përbën shkelje të besimit të qytetarëve dhe detyrave dhe përgjegjësive si deputet i Kuvendit dhe si partia më e madhe parlamentare.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh shqetësim të thellë për këtë situatë dhe kërkon nga LVV të largohet nga rruga e bojkotit kundërkushtetues. Kjo praktikë dhe qasje e LVV është e pazakontë dhe cenon rëndë vlerat demokratike të Republikës se Kosovës. IKD konsideron se debatet parlamentare janë shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe përfaqësimit demokratik, deputetët e shumicës parlamentare e kanë obligim të marrin pjesë në mënyrë aktive në diskutimin e çështjeve që prekin interesat e qytetarëve dhe të shtetit. Bojkoti i seancave parlamentare dëmton jo vetëm integritetin e Kuvendit por edhe injorim ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagim.
Deputeti, siç shkruan IKD-ja, ka detyrimin të respektojë dispozitat kushtetuese dhe ligjin, të cilat përbëjnë bazën e funksionimit të një shoqërie demokratike. Ky obligim e vendos deputetin “në një rol të rëndësishëm, ku veprimet dhe vendimet e tij duhet të reflektojnë vlerat dhe parimet e shtetit ligjor”.
“Nga Kushtetuta dhe ligji deputeti vepron në përputhje me besimin që i është dhënë nga qytetarët. Ai duhet të jetë i përgjegjshëm ndaj tyre dhe t’i mbrojë interesat e tyre, duke u angazhuar për një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse. Pavarësisht përkatësisë partiake deputetet duhet të ruajnë dhe promovojnë vlerat bazë të garantuara më Kushtetutën e Kosovës. Deputetët duhet të jenë shembull i respektimit dhe promovimit të vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe qeverisjes se mirë. Bojkotimi i deputetëve për çështje ku kërkohet llogaridhënie dhe rezultate ndaj fenomeneve të korrupsionit qeveritar, ruajtjen e integritetit të institucioneve publike dhe sqarimit të situatave ku deputetë të Kuvendit të Kosovës komunikojnë me persona në kërkim ndërkombëtar për vepra penale kundër rendit kushtetues të Kosovës, ulin besimin e publikut në vullnetin politik për shtet ligjor dhe luftim te korrupsionit. Kjo qasje padyshim se pengon rrugën integruese të Kosovës në strukturat euro-atlantike. Po ashtu, IKD shpreh shqetësim për mungesën e vazhdueshme të Kryetarit të Kuvendit në drejtimin e këtyre seancave të jashtëzakonshme”, thuhet tutje në reagim.
IKD-ja u ka bërë thirrje të gjitha partive politike të përmbushin detyrimet që rrjedhin nga Kushtetuta, “ligjet e aplikueshme dhe obligimet ndaj qytetarëve të Kosovës dhe vlerave demokratike që Republika e Kosovës i ka marr përsipër në rrugën e saj drejt integrimit evropian”.