Gjatë gati katër viteve në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka përjetuar një rënie të numrit të deputetëve nga 56 në 51, me pesë deputetë që kanë vendosur të largohen nga partia.
Largimi i parë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ishte ai i Haki Abazit, i cili kritikoi ashpër LVV-në, duke e akuzuar liderin e saj, Albin Kurti, për vazhdimin e praktikave të kaluara dhe për rrethimin me njerëz të korruptuar, transmeton Telegrafi.
“Dmth z. Kurti ju jeni vazhdimësia e së kaluarës, ju nuk jeni ndryshimi. Luftën për të eliminuar njerëzit potencial për të udhëhequr me vendin ata e bënë me tyten e pushkës dhe revolës duke i dërguar në varr, ju keni adoptuar luftën speciale, ushtrinë e Facebook dhe rrjetet sociale për të eliminuar, këdo që nuk i nënshtrohet liderit suprem. E ke rrethuar veten me njerëzit e pushteteve të kaluara, me vepra penale, nënshkrues të demarkacionit dhe marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015.
Ke përjashtuar aktivistët dhe përkrahësit më të devotshëm dhe po i mbronë e po i mbanë afër njerëzit e korruptuar, ata që e shkatërruan urbanizmin, privatizuan e përfituan, dhanë leje për kompensim me villa”, kishte reaguar ashpër në atë kohë deputeti Haki Abazi, i cili tashmë funksionon si deputet i pavarur.
Pas Abazit, Fatmi Hamolli gjithashtu njoftoi largimin e tij, duke shprehur zhgënjimin për arrogancën e qeverisë dhe për konflikte e panevojshme me grupe të ndryshme shoqërore, përfshirë veteranët dhe punonjësit e arsimit.
“Kërkesa e dytë ka qenë që të mos krijohen acarime në shoqërinë tonë. Të mos ketë konflikte. Kam thënë se arroganca dhe vendosmëria nuk kanë të përbashkët asgjë. Mund të jesh i vendosur, por jo arrogant. Qeveria është sjellë me arrogancë me mekanizmat që ndërtojnë shoqërinë tonë. E kemi çështjen e veteranëve. Na ka futur në konflikt.
Për shembull mua, më ka futur në konflikt me shumë persona bashkë me të cilët kam luftuar. Konflikti me veteranët ka qenë i panevojshëm. Me punëtorët e arsimit ka qenë i panevojshëm. Edhe me punëtorët e sektorëve të ndryshme. Këto grupe kanë pritur nga VV”, kishte pohuar Hamolli.
Gjatë muajit tetor të këtij viti, Visar Korenica dhe Eman Rrahmani konfirmuan largimin e tyre, duke theksuar shqetësimet për disa dispozita të Kodit Civil që, sipas tyre, cenojnë familjen shqiptare.
Të dy deputetët u bashkuan me koalicionin AKR-PD.
“Po bashkohemi me një koalicion për familjen. Kodi Civil që më disa dispozita cenon familjen shqiptare, Projektligjin për shëndetin riprodhues, që tenton të legalizon fertilizimin pa identitet të njohur, që dërgon në incest.
Lejimi i ndërrimeve të gjinisë, dhe shumë aktivitete tjera të Ministrisë së Kulturës na kanë shtyrë të mendojmë për angazhimin tonë politik, ikja e të rinjve, etj. Duke parë këto zhvillime, nga sot nuk jemi pjesë e LVV-së”, kishte pohuar deputeti Eman Rrahmani në një konferencë për media.
Deputetja Drita Millaku gjithashtu ndau rrugët me LVV-në, duke u bashkuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Millaku deri tani nuk ka dhënë ndonjë arsye se pse u largua nga LVV, por që tashmë ajo është pozicionuar së bashku me deputetët e LDK-së në Kuvendin e Kosovës.
Se a do të kenë këto largime ndikim në rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme brenda LVV-së mbetet të shihet. /Telegrafi/