MCA Kosova ka lansuar sot aktivitetin “Energji për barazi”, në kuadër të Projektit të Përshpejtimit të Tranzicionit të Drejtë dhe të Barabartë, i njohur si JETA. Ky aktivitet ka për qëllim të promovojë mundësi të barabarta punësimi në sektorin e energjisë në Kosovë, duke synuar rritjen e punësimit të grave, mbajtjen e tyre në punë si dhe zhvillimin në karrierë.
Ndërmarrjet aktive në sektorin e energjisë, si dhe organizatat joqeveritare që avokojnë për përfshirjen e grave dhe minoriteteve në sektorin e energjisë, mund të aplikojnë për grante dhe mirënjohje. Ndërkaq, vajzat dhe gratë të cilat janë të interesuara të ndjekin dhezhvillojnë karrierën e tyre në sektorin e energjisë, inkurajohen të aplikojnë për trajnime, mentorime, punë praktike dhe rrjetëzim.
Përmes këtij aktiviteti do të shpërndahen grante në vlerë prej 30,000$, 60,000 $ dhe 120,000 $ për ndërmarrjet mikro, të vogla, të mesme dhe të mëdha nga sektori i energjisë. Organizatat e shoqërisë civile që avokojnë dhe promovojnë barazinë gjinore dhe gjithëpërfshirjen sociale do të mund të përfitojnë grante deri në 40,000 $.
Florina Duli – Sefaj, Drejtoreshë Ekzekutive e MCA Kosova tha se këto mundësi do të krijojnë një rrugë të qartë drejt suksesit dhe zhvillimit profesional për gratë në sektorin e energjisë, e cila do ta transformojë Kosovën.
“Aktiviteti ‘Energji për barazi’ do të fuqizojë dhe aftësojë kuadro të përshtatshme dhe kompetente për sektorin e energjisë, si dhe do të promovojë në vazhdimësi përfitimet dhe vlerat që sjell diversiteti, i cili kontribuon në mjedise më dinamike dhe gjithëpërfshirëse, dhe ndikon në sukses dhe përfitime tjera të rëndësishme, në veçanti për sektorin privat”, ka thënë Duli – Sefaj.
“Energji për barazi” mbështet zhvillimin e Strategjisë së Energjisë së Republikës së Kosovës veçanërisht forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe funksionimit të tregut, heqjen e barrierave për funksionimin efikas të tregut, aftësimin në fusha që lidhen me energjinë, si dhe rritjen e numrit të diplomuarve në fusha të lidhura me energjinë, duke u siguruar që deri në vitin 2031, të paktën 25% e të punësuarve në këtë sektor të jenë gra.
Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë në Qeverinë e Kosovës deklaroi se duke investuar në një sektor më të larmishëm dhe gjithëpërfshirës të energjisë, ne nxisim rritjen ekonomike dhe zhbllokojmë potencialin e plotë të fuqisë punëtore.
“Para dy viteve përqindja e grave në sektor ka qenë vetëm 9%, tash është rreth 15%. Për herë të parë në Strategji të enegjisë e kemi paraparë edhe aspektin gjinor që nuk është e zakonshme. Aty e kemi paraparë që deri në vitin 2031, pjesëmarrja e grave në sektor të jetë së paku 25%. Inkurajoni gratë të hyjnë në sektorin e energjisë dhe ofroni atyre mbështetjen e nevojshme. Bëhuni avokues për barazinë gjinore në vendin e punës dhe në komunitetet tuaja. Bashkëpunoni me Ministrinë e Ekonomisë, Energjinë për Barazi dhe MCA Kosovën dhe organizata të tjera për ta zbatuar këtë iniciativë.”– deklaroi ministrja Rizvanolli.
“JETA është një nga projektet kryesore të MCC-së që mbështet barazinë gjinore duke adresuar nën-përfaqësimin e grave në sektorin e energjisë. Shumë nga investimet tona, si këto në Kosovë, synojnë të rrisin pjesëmarrjen e grave në sektorë më të paguar në të cilët ato historikisht kanë qenë të nënpërfaqësuara, siç është energjia. Aktivitetet që po lansojmë sot do t’i japin popullit të Kosovës, dhe veçanërisht grave, mjetet, burimet dhe aftësitë për të avancuar në punësimin në sektorin e energjisë.” – tha Kevin Mitchell, Drejtor Menaxhues, Sektori i Operacioneve, MCC.