“A po vjen te ne…me kapelë :)”.
Kështu i drejtohet me ftestë për takim në seli të Vetëvendosjes Dejona Mihali – formalisht Koordinatorja e Komiteteve Profesionale në Vetëvendosje – ish-Kryeshefit të Korporatës Energjetike (KEK), Nagip Krasniqit, tash të arrestuar dhe me aktakuzë nga Prokuroria Speciale për dyshime të dëmtimit të buxhetit të shtetit për mbi 3 milionë euro.
Nacionale ka siguruar komunikimet e Dejona Mihalit me Nagip Krasniqin në platformën “Signal” – ku përkthehet një tablo udhëzimi e menaxhimi nga Mihali ndaj Krasniqit se çka të bëjë e çka jo.
Mihali qe intervistuar nga Prokuroria Speciale javë më parë mu për këto komunikime. Pretendoi se u intervistua nga prokuroria “për ta zbardhur të vërtetën”:
Por, e vërteta del të jetë që Krasniqi del të ketë qenë i udhëzuar skajshmërisht nga Mihali, e cila i kërkon llogari, pyet, dërgon, informon për gjëra në lloj-lloj sferash: prej atyre energjetike e politike.
Të kthehemi te mesazhi i sipërm, kur Mihali e fton në objekt të Vetëvendosjes: por, ia bën me dije që të shkojë i kamufluar: “…me kapelë” të cilës ia shoqëron edhe një ‘smajll’.
Dejona Mihali i kërkon takim Nagip Krasniqit:
Mihali: “Po duam të të takojmë me Gazmendin. Kur mundemi?”
Krasniqi: “Të shtunën?”
Mihali: “Të shtunën kam këshill, të pretem në pasdite/mbrëmje?”
Krasniqi: “Jam në Vjenë. Kthehem nesër. Të premten kam mbledhje të bordit tërë ditën”.
Mihali: “Të dielën në 12:00”
Krasniqi: “Në rregull”
Mihali: “A po vjen te…me kapelë J”
Krasniqi: “Hahahha. Vij”.
Mihali: “Ok.”
Krasniqi: “Shihemi”.
Mihali: “Shihemi”.
Komunikimi për Martin Berishajn
Kur në Kosovë kishte shpërthyer skandali për përfshirjen e ambasadorit Martin Berishaj në dallaveret me rrymë nëpërmjet kompanisë GEN, shqetësimi duket se ishte prezent në figurat e larta të Vetëvendosjes.
Në komunikimet që i ka siguruar gazeta Nacionale ndërmjet Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit, del se Mihali e përcillte me vëmendje secilin raportim për këtë skandal energjetik. Ato, ia përcillte ish-kryeshefit të KEK-ut.
Madje, në njërën prej bisedave, Mihali e informon Nagip Krasniqin për shkrimet e mediave se kompania GEN e lidhur me Martin Berishajn, kishte përfituar 4.2 milionë euro gjatë kohës së krizës energjetike.
Para këtij raportimi, dorëzohet edhe Nagip Krasniqi i cili e konfirmon se “pak a shumë është i vërtetë”.