Disa materiale, kompjuterë, dosje e dokumente, shihet të jenë sekuestruar nga hetuesit policorë gjatë bastisjes së zhvilluar sot në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ku dy persona po dyshohen lidhur me keqpërdorimin e detyrës zyrtare.
Policia e Kosovës ka zbarkuar në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në të cilën po realizojnë një bastisje.
Sekretari i përgjithshëm Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Izedin Bytyqi nën shoqërimin e policisë është larguar nga objekti i kësaj ministrie.
Lidhur me këtë rast nga Prokuroria Speciale kanë bërë të ditur për Telegrafin se janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale që lidhen me keqpërdorim të detyrës zyrtare, shpëlarje parash dhe mos-raportim apo raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë a detyrimeve financiare.
“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur, ju informoj se me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është duke u zhvilluar një aksion në MMPHI. Janë dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga neni 414 i KPK-së, shpërlarjes së parasë nga neni 302 i KPK-së dhe veprën penale të mosraportimit apo raportimit të rremë i pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare, nga neni 430, paragrafi 2 i KPK-së”, kanë deklaruar nga Prokuroria Speciale.
Telegrafi ka raportuar më herët se këto bastisje po kryhen lidhur me ambalazhimin e ujit. /Telegrafi/