Deputeti i PD-së, dorëzohet për ta mbajtur burgun

Deputeti i Partisë Demokratike në Shqipëri, Ervin Salianji, të premten ka vendosur të dorëzohet për ta mbajtur burgun dhe ta refuzojë propozimin e partisë për ngujim brenda selisë.

Gjykata e Apelit të enjten e la në fuqi dënimin me një vit burg për Salianjin. Deputeti i PD-së u dënua për “kallëzim të rremë” për rastin e audio-përgjimit ku pretendohej se vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge.

Shefi i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, më herët gjatë ditës së sotme bëri të ditur se Salianji e refuzoi propozimin që të ngujohet brenda selisë së partisë në Tiranë.

Gjatë konferencës për media ditën e djeshme, Salianji e ka quajtur vendim politik të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Ai do ta vuajë dënimin në burgun e Fierit.

Çështja ndaj deputetit demokrat, njihet edhe si çështja “Babale” dhe lidhet me një audio-përgjim të publikuar në maj të vitit 2018 nga Partia Demokratike, në të cilin pretendohej se vëllai i ish-ministrit Xhafaj, bisedonte me një person tjetër me të cilin pajtohej për trafikim të drogës.

Audio-përgjimi u cilësua nga Prokuroria si i sajuar. Ndërsa gjykata e shkallës së parë e dënoi deputetin me një vit burgim.