Futbollisti i Lilleit, Edon Zhegrova, ka thënë se vendimi për përjashtimin e tij nga Përfaqësuesja e mori Federata e Futbollit të Kosovës dhe jo trajneri Franco Foda.
Në grumbullimin e shtatorit, Zhegrova bashkë me Arijanet Muriqin dhe Florent Muslijën u përjashtuan për shkak se FFK-ja pretendoi se kanë thyer rregullat disiplinore. Të tre lojtarët kanë mohuar pretendimet se kishin dalë për të festuar dy ditë pas humbjes nga Rumania.
Në konferencë për shtyp të enjten para ndeshjes me Le Havren që e luan më 28 shtator, Zhegrova u pyet nga gazetarët për përjashtimin nga Kosova. Ai ka thënë se ka njerëz që nuk e duan dhe flasin fjalë të këqija për të.
“U vonova në takim. Mendoj se nuk ishte vendim i trajnerit, por vendim i FFK-së – për atë edhe isha pak i nervozuar. Ka disa njerëz që nuk më duan dhe thonë fjalë të këqija për mua. E njoh veten, e di sa profesional jam dhe kur kam lexuar disa lajme se kinse kam dalë në klub nate, nuk është ashtu sepse nëse dua të shkoj në klub, do ta dinin të gjithë. Nuk kishte foto, të gjitha ishin lajme të rreme. Gjëja më e keqe ishte që trajneri nuk e mori vendimin, por Federata. Nëse vonohesh në takim, trajneri duhet të marrë vendim, jo Federata”, ka thënë ai.
25-vjeçari tutje u shpreh se kjo çështje tani i përket së kaluarës dhe “më nuk ka rëndësi”.
Zhegrova po shkëlqen në këtë fillimsezon me Lillein. Ka shënuar tri gola në po aq ndeshje në Ligue 1. Ndërsa tri gola i ka shënuar edhe në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.
FFK-ja nuk ka treguar se çfarë masa të tjera do të ketë për tre lojtarët e përjashtuar. Grumbullimin e radhës, Kosova e ka në mesin e tetorit.
Trajneri Franco Foda nuk pati komentuar vendimin për përjashtimin e Zhegrovës, Muriqit dhe Muslijës.