Shkruan: Safet Gërxhaliu
Mungesa e reagimit nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), institucioni që përfaqëson Kosovën në CEFTA, vazhdon të qëndrojë në heshtje totale përballë lajmit shqetësues të përjashtimit të mundshëm të Kosovës nga kjo marrëveshje.
Kjo qasje e papërgjegjshme dhe mungesa e veprimit nga ana e Ministres, për fat të keq, tregon një mungesë të theksuar vizioni dhe dijeje për çështjet kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ndërmarrësinë dhe industrinë vendore.
Në katër vitet e fundit, rezultatet e këtij dikasteri kanë qenë ZERO, duke treguar një dështim të plotë për të adresuar barrierat tregtare dhe për të ofruar zgjidhje për bizneset kosovare në marrëdhëniet e tyre me vendet anëtare të CEFTA-s.
Përballë lajmit të mundësisë së përjashtimit të Kosovës nga CEFTA, Ministria vazhdon të mos reagojë publikisht, duke krijuar pasiguri për të ardhmen ekonomike të vendit dhe bizneseve tona.
A e din nga kjo Ministri se çfarë nënkupton përjashtimi nga CEFTA për ekonominë dhe bizneset vendore? Kjo mungesë e veprimit do të ketë pasoja të rënda për eksportet dhe tregtinë tonë si shtylla kryesore të stabilitetit socio – ekonomik në vend.
Për katër vite, Ministria nuk ka marrë asnjë nismë për të evidentuar dhe zgjidhur barrierat tregtare me vendet e CEFTA-s. Kjo tregon një mungesë të plotë të përkushtimit për të përmirësuar mjedisin e biznesit. Sa ligje apo politika të reja janë miratuar për të mbështetur bizneset kosovare në këto katër vite? Për fat të keq, asgjë konkrete nuk është bërë.
Përjashtimi nga CEFTA do të ishte kulmi i dështimit të këtij dikasteri dhe dëshmi e paaftësisë për të mbrojtur interesat ekonomike të Kosovës nga kjo Ministri.
Po e rikujtojë se CEFTA është krijuar me qëllim të eliminimit të pengesave për tregtinë reciproke mes shteteve anëtare, krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin dhe diversifkimin e tregtisë , nxitjen e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik, intensifikimin e mardhënieve ekonomike për përfitim reciprok dhe për kontributin në procesin e integrimit në BE, kontribut në zhvillimin e mardhënieve tregtare me BE-në dhe për integrimin në sistemin tregtar shumëpalësh.
Ky dështim është një sinjal alarmues për të gjithë akterët ekonomikë dhe kërkon një ndryshim urgjent në drejtimin e politikave ekonomike të vendit qoft në aspektin vendor por edhenë atë ndërkombëtar.
Heshtja është krim dhe miratim e reagimimi i vonuar len pasoja afatgjate negative për Kosovën.