Aktakuza për Banjskën, Kurti: Më mirë vonë se kurrë

Kryeministri Albin Kurti ka komentuar ngritjen e aktakuzës për 45 persona për rastin e sulmit terrorist të Banjskës, ku i akuzuari kryesor është edhe udhëheqësi i grupit Milan Radoiçiq.

Kurti është shprehur i bindur se kjo aktakuzë ka mundur të ngritët më herët, duke përdorur frazën e njëjtë sikurse Konjufca “më mirë është vonë sesa kurrë”.

“Nuk e kam parë aktakuzën jam i bindur që ka mund të ngrihet shumë më herët dhe sot të ndodhemi në një situatë të re. Natyrisht siç thotë populli ynë ‘’më mirë vonë se kurrë”, por megjithatë duhet ta shohim përmbajtjen e saj në mënyrë që të mund të flasim për të”, tha Kurti.

Kryeministri ka shtuar se ajo që insistojnë vazhdimisht ku do që ndodhemi, e para është dorëzimi i Milan Radojiçiqit autoriteteve të Kosovës sepse krimin e ka kryer në Kosovë.

“Së dyti duhet ta tërheqin atë letrën e ish-kryeministres Brnabiq më të cilën ajo ka hequr dorë nga zotimi i Serbisë prej marrëveshje bazike dhe marrëveshje së zbatimit, duke thënë se nuk e pranon pavarësinë, nuk e respekton integritetin territorial dhe nuk do ta pranojë ulësen e Kosovës në OKB, dhe së treti duhet qe të nënshkruhet marrëveshja bazike në mënyrë që të tregohet mirëbesimi si një garanci edhe juridike për zbatimin e marrëveshjes. Një marrëveshje e pa nënshkruar po shihet se është marrëveshje shumë kollaj për tu mos u respektuar e për të mos u zbatuar”, deklaroi Kurti.

Dje Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzës për 45 persona të përfshirë në sulmin e Banjskës të Zveçanit.