Ministria e Drejtësisë nuk ka hartuar një projektligj të ri për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, por ka bërë disa ndryshime në ligjin ekzistues, tha drejtuesja e këtij institucioni, Albulena Haxhiu.
Më 26 qershor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshëm Ligjin për byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, pasi gjeti se katër nene të tij ishin në kundërshtim me Kushtetutën.
Gjatë një konference për media, Haxhiu deklaroi se Ministria e Drejtësisë ka bërë katër ndryshime për të adresuar gjetjet e Gjykatës Kushtetuese.
Çështja e parë që është adresuar është retroaktiviteti i ligjit. Haxhiu tha se Kushtetuesja gjeti se shtrirja e gjatë kohore mund të krijojë sfida për palët e përfshira, duke i vendosur ato në një pozicion “të pamundësisë objektive për të siguruar prova që justifikojnë prejardhjen e pasurisë së tyre”.
“Në këtë drejtim, ndryshimi i ri ka përfshirë konceptin e pamundësisë objektive. Pra, si një element kyç procedural që ofron një mekanizëm mbrojtës për ata që nuk mund të sigurojnë prova për shkak të kalimit të kohës apo të ndryshimit të rrethanave, faktorëve të ndryshëm”, tha Haxhiu, duke shtuar se një qasje e tillë garanton një proces më të drejtë për palët e përfshira në procedurën e konfiskimit.
Ndryshimi i dytë ka të bëjë me qartësimin e periudhës kohore për verifikimin e pasurisë. Haxhiu tha se me ndryshimet, periudha e verifikimit do të lidhet vetëm me periudhën kohore kur një zyrtar publik ka qenë në funksion, duke lejuar që byroja të nisë verifikim e pasurisë vetëm në periudhën deri në pesë vjet pasi një zyrtar publik ka përfunduar ushtrimin e funksionit.
Ky ndryshim, tha Haxhiu, mbron zyrtarët “nga hetimet e pafundme”.
Haxhiu tha se çështja e tretë e adresuar është ajo e Komisionit mbikëqyrës dhe ndarjes së pushteteve. Kushtetutuesja ka kërkuar ndryshimin e përbërjes së komisionit. Ndryshimet e reja, sipas MD-së, kanë ristrukturuar përbërjen e komisionit, duke përfshirë tre anëtarë që do të zgjidhen nga Kuvendi, përfshirë drejtorin e Agjencisë për parandalimin e korrupsionit dhe drejtorin e njësisë së inteligjencës artificiale.
“Sapo të kemi deklaratat e Ministrisë së Financave dhe Qeverisë së Kosovës, që ndërlidhen me deklaratën financiare dhe nëse ligji është në përputhje me acquis communautaire, ne do ta procedojmë sërish versionin me ndryshime. Sipas njoftimeve që i kam nga kabineti, brenda javës do të kemi këto dy deklarata dhe menjëherë do ta procedojmë në Qeveri e më pas në Kuvend”, tha Haxhiu, duke kërkuar që deputetët e Kuvendit të Kosovës të mbështesin këtë ligj kur të dërgohet në seancë plenare.
Në ligjin e shpallur të pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese, parashihej që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të ishin subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të ekzistonin dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme.
Përveç zyrtarëve, subjekt i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme parashihej të ishin edhe anëtarët e familjes së tyre apo palët e treta, që nënkupton personat te të cilët mund të ketë pasur dyshime se ishte bartur pasuria e zyrtarëve publikë.
Kushtetuesja tha se procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme është e pavarur nga procedura penale, “standardi i të provuarit nuk është ai penal i ‘dyshimit të bazuar’, por ai civil i ‘vlerësimit të gjasave’ dhe sipas të cilit, pasuria cilësohet e pajustifikueshme, nëse gjykata bazuar në prova ‘beson që një gjë ka më shumë mundësi të jetë apo të ketë ndodhur se sa jo’”.
Ligji, që është shpallur i pavlefshëm, përfshinte periudhën nga data 17 shkurt 2008, dhe periudhën brenda dhjetë vjetësh nga momenti kur zyrtarët publikë pushojnë së ushtruari funksionin e tyre.