Arben Mustafa, koordinator për financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, e ka cilësuar propagandistik një grafikë të publikuar sot gjatë ditës nga ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili flet për shumën e pagave që paguhen punëtoret për një vit në Kosovë në sektorin publik dhe privat.
Ai ka shkruar se komentimi i vlerës monetare të pagave pa e marrë parasysh dyfishimin e çmimeve, nga ana e ministrit Murati, do të thotë që ai nuk kupton ekonomi ose është në siklet të madh për të bërë propagandë.
Ai tutje ka thënë se “pasi u bo horë me 6.80 euro”, ministri Murati po provon me u nxjerrë me disa grafikone duke dashtë me i tregu popullit sesa janë pasuruar gjatë këtyre viteve të qeverisjes së partisë së tij.
Postimi i plotë:
Pasi u bo horë me 6.80 euro, Hekuran Murati po provon me u nxjerrë me disa grafikone duke dashtë me i tregu popullit sesa janë pasuru gjatë këtyre vjetëve të qeverisjes së partisë së tij.
Ai po don me i thonë popullit qe sa shumë e keni rritë standardin e jetesës në këto 4 vjet, por nuk jeni tu e ditë!
Me komentu vlerën monetare të pagave, pa e marrë parasysh dyfishimin e çmimeve në të njëjtën kohë, do të thotë që ose nuk kupton ekonomi, ose je në siklet të madh për me bo propagandë!