Pas operacionit në veri ku u mbyllën pesë objekte të strukturave paralele ka reaguar edhe Ndihmëssekretari amerikan për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien.
O’Brien në një postim në X i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të koordinohet me ndërkombëtarët.
Ai veprimet e pakoordinuara i ka quajtur provokuese.
“Siç ka deklaruara ambasadori Jeffrey Hovenier, SHBA-të janë të shqetësuara nga vazhdimi i veprimeve të pakoordinuara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës. Ne vlerësojmë punën e atyre, përfshirë EULEX-in dhe KFOR-in, të cilët parandalojnë dhunën dhe bëjnë thirrje për përmbajtje të vazhdueshme nga të gjithë…
I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe të koordinohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”, ka shkruar O’Brien.
Ndryshe, Policia e Kosovës të premten ka zhvilluar një operacion në katër komunat në veri të vendit, konkretisht ka ndërprerë aktivitetet në pesë objekte që janë shfrytëzuar nga komunat ilegale.
Komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut, Komuna paralele e Leposaviqit.
Këto pesë objekte që janë mbyllur i bashkohen 7 komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.