Ndonëse ende nuk ka agjendë të takimeve, të mërkurën kryeministri i vendit, Albin Kurti bëri të ditur se të enjten për vizitë në Kosovë do të jetë ndihmës-sekretari i përgjithshëm për operacione i NATO-s, Thomas Goffus gjersa do të diskutohet lidhur me hapjen e Urës së Ibrit.
Kurti njoftimin për vizitën e Goffus e bëri në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ndërkaq sot në Kosovë do të jetë edhe përfaqësuesi i Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Kryeministri bëri të ditur se temë diskutimi do të jetë edhe çështja e hapjes së Urës së Ibrit.
Kurti tutje njoftoi se gjatë javës së ardhshme Kosovën do të jenë për vizitë edhe dy ministra nga vendet anëtare të NATO-s
“Të enjten për vizitë vjen Thomas Goffus, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacione i NATO-s… ndërkaq javën e ardhshme do t’i mirëpresim dy ministra të jashtëm të dy shteteve anëtare të NATO-s. Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull. Hapja e urës është liri e lëvizjes.
E liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Bashkimin Evropian”, tha Kurti.
Ai po ashtu vuri në pah se për sulmin ndaj Kosovës në veri të vendit, Serbia ende nuk është mbajtur përgjegjëse dhe vijon të mos e dorëzojë kryekriminelin Milan Radoiçiq.